Lidhje

Nato miraton dërgimin e kontigjentit pararojë në Maqedoni - 2001-08-15


Aleanca e Natos autorizoi dërgimin e një force të vogël pararojë në Maqedoni. Trupat do të përgatisin kushtet për dërgimin e një kontigjenti më të madh të Natos që do të mbledhë armët e luftëtarëve shqiptarë. Zyrtarët e Natos thonë se rreth 400 trupa mund të mbërrijnë në Maqedoni që këtë fundjave. Ky kontigjent do të përgatisë kushtet për shtabin dhe mjetet e komunikimit të forcës së Natos prej rreth 3 mijë e 500 trupash që do të dërgohen më vonë në Maqedoni.

Vendimi u morr sot në takimin e ambasadorëve të Natos në Bruksel. Zëdhënësi i aleancës Yves Brodeur tha se aleanca është e kënaqur me zhvillimet në Maqedoni që pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes të hënën. “Koha e futjes së trupave është kritike. Ajo që do të bëjnë ato është të ndihmojnë për forcimin e besimit reciprok të popullsisë në Maqedoni,” tha zëdhënësi Brodeur.

Por Natoja nuk e morri sot vendimin për dislokimin e gjithë kontigjentit prej 3 mijë e 500 trupash që do të merren me grumbullimin e armëve. Zëdhënësi Brodeur tha se Natoja dëshiron të shikojë një përparim më të madh drejt ruajtjes së armëpushimit para se të autorizojë dislokimin e gjithë kontigjentit. Si qeveria maqedonase edhe luftëtarët shqiptarë akuzojnë njeri tjetrin për shkeljet e vazhdueshme të armëpushimit.

Burimet diplomatike thonë se ky dërgim gradual i trupave do ta lejojë aleancën t’i nxisë të dyja palët të zbatojnë marrëveshjen politike. Çarmatosja e luftëtarëve shqiptarë duhet të bëhet paralelisht me paketën e reformave politike.

Pasi të dërgohet i gjithë kontigjenti i Natos në Maqedoni, misioni i tyre do të jetë i kufizuar vetëm në 30 ditë për të grumbulluar armët. Maqedonasit kanë shprehur shqetësim se luftëtarët shqiptarë do t’i fshehin armët dhe do t’i rimarin prapë ato pasi të largohen trupat e Natos.

Luftëtarët shqiptarë thonë se po luftojnë për më shumë të drejta politike për shqiptarët. Qeveria i akuzon ata se duan të bashkojnë pjesët e Maqedonisë të banuar anga shqiptarët me Kosovën.

XS
SM
MD
LG