Lidhje

Qeveria amerikane mbi marrëveshjen në Maqedoni - 2001-08-17


-Koment ku pasqyrohen pikpamjet e qeverisë amerikane.

Në Maqedoni u nëshkrua një marrëveshje që ka si qëllim të forcojë shoqërinë demokratike civile, duke u siguruar të drejta shqiptarëve të Maqedonisë. Në Maqedoni udhëheqësit e zgjedhur politikë, si të shqiptarëve edhe të Maqedonasve, shpresojnë që marrëveshja t’i japë fund kryengritjes së armatosur të filluar nga ekstremistë shqiptarë të Maqedonisë, të së ashtuquajturës Ushtria Kombëtare Çlirimtare. Si pasojë e dhunës së 6 muajve të fundit kanë humbur jetën rreth njëqind veta.

Marrëveshja u nënshkrua nga udhëheqësit e dy partive maqedonase dhe të dy partive të shqiptarëve të Maqedonisë. Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm përfaqësues të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Në bazë të marrëveshjes shqipja do të njihet si gjuhë zyrtare në disa pjesë të Maqedonisë. Veç kësaj marrëveshja i detyron autoritetet maqedonase të shtojnë numrin e shqiptarëve të Maqedonisë në radhët e forcave policore dhe në punë të tjera qeveritare. Kompetencat e zyrtarëve lokalë do të shtohen duke ia kaluar një pjesë të pushtetit të qeverisë qendrore në Shkup, organeve të pushtetit lokal. Parlamenti i Maqedonisë pritet të votojë në javët e ardhshme mbi ndryshimet që do t’i bëhen kushtetutës për t’iu përshtatur kërkesave të marrëveshjes.

Kjo zgjidhje pritet të rivendosë paqen, të forcojë demokracinë shumetnike, mbështetjen për një shtet të vetëm dhe ta kthejë Maqedoninë në rrugën e saj drejt Evropës. Tani të gjitha palët duhet të punojnë për vënien në jetë të marrëveshjes. Armëpushimi duhet të respektohet, kryengritësit duhet ta mbajnë fjalën dhe të ulin armët e të çarmatosen, kurse parlamenti i Maqedonisë duhet të miratojë ligjet dhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Nuk ka asnjë justifikim për vazhdimin e dhunës. As është nevoja që dikush t’i trembet copëtimit të vendit apo shpërnguljes.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur vazhdimisht tërësinë tokësore dhe unitetin politik të Maqedonisë. Qeveria amerikane ka mbështetur rolin e Natos për të ndihmuar në çarmatimin vullnetar të kryengritësve. Shtetet e Bashkuara ngulin këmbë që ata të tërhiqen, të shpërndahen dhe t’ua dorëzojnë armët forcave të Natos, që do të merren me këtë operacion.

Nga këto qëllime do të vazhdojë të udhëhiqet politika amerikane në javët dhe muajt e ardhshëm. Shumë punë mbetet për t’u bërë. Shtetet e Bashkuara do të mbeten plotësisht të angazhuara në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG