Lidhje

Kalendari Historik i datës 18 gusht - 2001-08-18


Më 18 gusht të vitit 1920, legjislatura e shtetit Tenesi miratoi amandamentin e 19 të kushtetutës së Shteteve të Bashkuara. Ky ratifikim u siguroi grave amerikane të drejtën e votës. Vota e legjislaturës së shtetit Tenesi i dha fund një debati mbarë kombëtar që kishte vazhduar për më shumë se një shekull. Në vitin 1787, kushtetura amerikane u garantoi burrave të bardhë pronarë të drejtën e votës. Më 1869, amendamenti i 15 u dha të drejtën e votës edhe burrave zezakë dhe ish skllevërve meshkuj. Fushata për t’u dhënë grave të drejtën e votës përfundoi me sukses kur kushtetutës amerikane iu shtuan këto fjalë: “E drejta e qytetarëve amerikanë për të votuar nuk do t’u mohohet apo t’u kufizohet nga qeveria federale apo qeveritë shtetërore për shkak të gjinisë.” Megjithëse disa shtete u kishin dhënë grave të drejtën e votës, shumica e grave amerikane nuk mund të votonin. Bile në disa shtete, pjesëmarrja e grave në votim ishte kundër ligjit. Mirëpo, amendamenti i 19-të e ndryshoi këtë praktikë dhe si rrjedhim edhe politikën amerikane në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 1920.

Më 18 gusht të vitit 1963, James Meridith u bë zezaku i parë që diplomohej nga universiteti i Misisipit. Ceromia e diplomimit në universitetin e hapur 115 vjet më parë, u zhvillua në mënyrë paqësore dhe me dinjitet. Ky zhvillim ishte në kontrast me ditët e vështira që zoti Meridith kishte përjetuar kur ishte transferuar në këtë shkollë thuajse një vit më parë. Në atë kohë, ndarja racore zbatohej me rreptësi dhe shpesh herë shoqërohej me veprime të dhunëshme në nivele të ndryshme të shoqërisë së shtetit Misisipi. James Meridith tha se ai e përballoi atë vit me të vërtetë të vështirë si një trashëgimi për djalin e tij të sapo lindur. “Djali im, shpjegon Meredith, ishte forca frymëzueze. Pyetja që kisha vazhdimisht në mendje ishte se çfarë do t’i them atij kur të rritet.” James Meridith ishte zezaku i parë që diplomohet nga univeristeti Misisipi.

XS
SM
MD
LG