Lidhje

Krizë politike në Serbi - 2001-08-18


Serbia është përfshirë në një krizë të re politike, pas tërheqjes nga koalicioni qeverisës i partisë së presidentit jugosllav Vojisllav Koshtunica.

Partia Demokratike e Serbisë njoftoi të premten se largohet nga qeveria reformiste pasi kabineti ka bërë fare pak në luftën kundër krimit të organizuar.

Kryeministri serb Zoran Xhinxhiç shprehu habi ndaj vendimit të partisë së zotit Koshtunica. Ai shtoi se qeveria do të vazhdojë të bëjë punën e saj për sa kohë që të ketë shumicën në parlamentin e Serbisë. Megjithatë, zoti Xhinxhiç nuk përjashtoi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohëshme.

Presidenti Koshtunica dhe kryeministri Xhinxhiç kanë qënë për një kohë të gjatë rivalë në lëvizjen reformiste të Jugosllavisë, por u bashkuan vitin e kaluar në luftën për të përmbysur ish presidentin Sllobodan Millosheviç.

Partia Demokratike e Serbisë është një prej 18 partive, që përbëjnë Opozitën Demokratike të Serbisë, e cila kontrollon si qeverinë e Serbisë ashtu edhe atë federale të Jugosllavisë.

Njoftimi i djeshëm pason vrasjen më 3 gusht të ish zyrtarit të policisë sekrete, Momir Gavrilloviç, i cili gjeti vdekjen pas një takimi me këshilltarët e presidentit Koshtunica. Kjo vrasje ka çuar në spekullime se zoti Gavriloviç përgatitej të demaskonte lidhjet midis zyrtarëve të qeverisë dhe krimit të organizuar.

XS
SM
MD
LG