Lidhje

Hagë: avokatët e Millosheviçit paraqesin argumentet - 2001-08-22


Një gjykatë holandeze filloi dëgjimin e argumenteve të paraqitura nga avokatët e ish-presidentit jugosllav Slloboban Millosheviç, që thonë se arrestimi dhe mbajtja e tij nga Gjykata e Hagës nuk është i ligjshëm. Zoti Millosheviç kërkon lirimin e menjëhershëm nga burgu Scheveningen i Kombeve të Bashkuara, duke thënë se transferimi i tij nga Beogradi përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Grupi i avokatëve të zotit Millosheviç thotë se Gjykata e Hagës është e paligjshme, për arsye se ajo është krijuar nga Këshilli i Sigurimit dhe jo nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Gjykata e Hagës e kundërshton këtë argument, duke thënë se ish-udhëheqësi jugosllav e ka njohur këtë gjykatë me firmosjen e marrëveshjes së Daytonit në vitin 1995.

Zoti Millosheviç mbahet në gjendje arresti që nga 28 qershori, kur autoritetet serbe e ekstraduan në Gjykatën e Hagës, lidhur me akuzat për spastrim etnik kundër shqiptarëve gjatë konfliktit në Kosovë.

Në seancën e sotme, një gjykatës do të vendosë nëse ankesat e zotit Millosheviç janë të bazuara dhe nëse çështja mund të dërgohet për gjykim.

XS
SM
MD
LG