Lidhje

Pikëpyetje lidhur me hollësitë e misionit - 2001-08-24


Vendimi për dislokimin e 700 parashutistëve britanikë u dha menjëherë pas miratimit të misionit në Maqedoni nga 19 vendet anëtare të Natos. Britania është caktuar të luajë rolin kryesor në këtë operacion, i cili njihet me emrin-kod Korrjet Esenciale. Fillimi i menjëhershëm i misionit të çarmatimit është jetik për të mos lejuar humbjen e atmosferës pozitive të procesit të paqes, pas nënshkrimit të marrëveshjes nga udhëheqësit politikë të maqedonasve dhe shqiptarëve më 13 gusht.

Misioni i NATO-s kufizohet në grumbullimin e armëve që do t’i dorëzojnë vullnetarisht luftëtarët shqiptarë të UÇK-së.

Rreth 400 trupa të NATO-s janë gati në Maqedoni, duke ngritur kampe në rajonet që mbahen nga kryengritësit shqiptarë, në përgatitje për misionin. Një faktor kyç i misionit mbetet ende i papërcaktuar: sa do të jetë numri i armëve që do të ngrumbullohen në mënyrë që dislokimi i trupave të deklarohet i suksesshëm?

Zyrtarë të NATO-s thonë se akoma nuk është përcaktuar numri i armëve që do të mbildhen, por Ministri maqedon i Brendshëm, Ljube Boskovski, që njihet si mbrojtës i vijës së ashpër, tha dje se UÇK-ja ka 85 mijë armë, si dhe 5 milionë fishekë e predha. Ai tha se në këtë shifër përfshihen 9 mijë pushkë automatike, 20 mijë granada dore dhe 20 mijë predha mortajash.

Opinioni publik maqedonas ka shprehur skepticizëm lidhur me çështjen në se forcat e NATO-s prej 3 mijë e 500 anëtarësh do të jenë të afta të grumbullojnë të gjitha armët e UÇK-së brenda afatit prej 30 ditësh. Për anëtarët e UÇK-së është shpallur amnestia, por nuk është ende e qartë se ç’do të bëhet me udhëheqësit e luftëtarëve shqiptarë pas çmobilizimti të tyre.

Megjithë fjalët e përhapura se shefi i përgjithshëm i UÇK-së Ali Ahmeti do të hyjë në jetën politike të Maqedonisë, ai nuk i ka bërë të njohura planet e tij, që varen nga zbatimi i marrëveshjes së paqes. Megjithatë, një nga udhëheqësit kryesorë politikë të UÇK-së, Xhevat Ademi, i tha Zërit të Amerikës, se sipas tij, lufta ka marrë fund. Ai tha se e ka kthyer uniformën e tij një javë më parë dhe se do të kthehet në pozicionin e mëparshëm si sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike Kombëtare, e vijës së ashpër. Zoti Ademi tha se është optimist se së shpjeti, të gjithë ushtarët e UÇK-së të cilëve u është dhënë amnestia, do të kthehen në jetën private, ku sipas fjalëve të tij, ”Ata mund t’i shikoni të lirë, nëpër kafenetë e Tetovës”.

XS
SM
MD
LG