Lidhje

Misioni i Natos fillon megjithë mosmarrëveshjet për numrin e armëve që do të dorëzohen - 2001-08-27


Operacioni Essential Harvest filloi sot zyrtarisht në Maqedoni, ndërkohë që ende nuk është arritur marrëveshje midis palës maqedone dhe luftarëve shqiptar rreth numrit të armëve që do të mblidhen. Komandanti i forcave të NATO-s në Maqedoni, gjenerali majori Gunnar Lange thotë se UÇK-ja ka rënë dakord t’i dorëzojë mbi 2,950 pushkë, 210 mitralozë, 130 mortaja dhe armë të tjera anti-tank, gjashtë sisteme të mbrojtjes ajrore, dy tanke dhe dy autoblinda që janë kapur nga forcat maqedonase. ”Megjithatë, thotë gjenerali Lang, nuk ka marrëveshje formale mbi këto shifra. Arsyeja është se ne i kemi marrë informacionet nga kryengritësit dhe ne vetëm se po u kalojmë këtë informacion autoriteteve maqedonase se këto janë armët që ne do t’i mbledhim gjatë këtij misioni të kufizuar.” Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare duken të përkushtuar për të çuar para premtimet e tyre për dorëzimin e armëve. Në fshatin Nikushtak, komandant Adashi thotë se është e rëndësishme që UÇK-ja të dorëzojë 33 përqind të armatimit të saj sot. Mirëpo, autoritetet maqedonase janë të shqetësuara se aleanca e NATO-s nuk ka vlerësuar si duhet arsenalin e luftëtarëve shqiptar. Kryeministri maqedon Lubço Gjeogjievski tha se në rast se NATO-ja mbledh vetëm rreth 3 mijë armë, misioni i saj mund të dështojë dhe lufta do të vazhdoj pas largimit të ushtarëve të NATO-s. ”Shifra prej 3 mijë armëve është qesharake dhe degraduese për republikën e Maqedonisë. Deri tani tre grupe të ndryshme kanë dal me shifrën e njejtë prej 60 mijë armëve dhe unë besoj se Maqedonia dhe institucionet e saja duhet t’i përmbahen këtyre shifrave” tha zoti Gjeorgjevski. Ai kundërshtoi gjithashtu tërheqjen sipas marrëveshjes me NATO-n, të armatimit të rëndë të ushtrisë maqedonase, duke e kushtëzuar atë me tërheqjen e luftëtarëve shqiptar në pozicione të para 5 korrikut dhe lirimin e 13 maqedonëve që sipas tij mbahen nga UÇK-ja. Megjithatë, luftëtarët shqiptarë i dorëzuan dje Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dy policë dhe qy qytetar maqedonas që ishin ndaluar para disa muajve. Njëri nga të liruarit, Romeo Zuviç, tha se komandantët e UÇK-së kishin qenë korrekt. ”Komandantët Sokoli dhe Abedini janë sjell mirë me mua. Po ashtu edhe komandanti Maliqi, ka qenë korrekt” tha Zuviç. Dhe kështu ende pa filluar si duhet, misioni i NATO-s në Maqedoni përballet me vështirësi të mëdha. Mbrëmë, u vra një ushtarë britanik, ndërkohë që Shkupin e tronditën dy shpërthime. Megjithatë, NATO-ja duket e përkushtuar të grumbullojë rreth një të tretën e armëve deri në fund të javës, përpara seancës së parë parlamentare që do të fillojë debatet për ratifikimin planit të paqes.

XS
SM
MD
LG