Lidhje

ShBA në favor të heqjes së sanksioneve Jugosllavisë - 2001-08-29


Shtetet e Bashkuara thonë se janë në favor të heqjes së sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Jugosllavisë për armët. Përfaqësuesi amerikan pranë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Cameron Hume, ia paraqiti dje këtij këshilli qendrimin amerikan gjatë një debati me dyer të hapura për Kosovën.

Javën e kaluar, Franca u shpreh gjithashtu se do të mbështeste heqjen e embargos. Ndalimi i shitjes dhe furnizimit të Beogradit me armë u vendos në vitin 1998 në përpjekje për t’i dhënë fund spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës nga ana e presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviç.

Ende i pakët numri i serbëve të regjistruar për zgjedhjet në Kosovë Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara thotë se numri i serbëve të Kosovës të regjistruar për zgjedhjet e 17 nëntorit është ende shumë i vogël. Dje, shefi i operacioneve paqeruajtëse të OKB-së Jean-Marie Guehenno, u kërkoi autoriteteve jugosllave që të mbështesin përpjekjet e adminsitratës ndërkombëtare për t’i inkurajuar serbët të marrin pjesë në zgjedhje.

Duke folur përpara Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, zoti Guehenno tha se ndoshta më shumë serbë do të regjistrohen tani që presidenti jugosllav, Vojisllav Koshtunica, dhe kryeministri serb, Zoran Gjingjiç, u kërkuan serbëve të marrin pjesë në zgjedhje.

Ambasadori rus pranë Kombeve të Bashkuara, Sergey Lavrov, tha se mungesa e lirisë së lëvizjes dhe shkalla e ulët e sigurisë në Kosovë janë shkak për pjesëmarrjen e vogël të serbëve në jetën kosovare.

XS
SM
MD
LG