Lidhje

Banka Qendore Evropiane paraqit EUROn e parë - 2001-08-31


Banka Qendrore Evropiane paraqiti për herë të parë kartmonedhat e reja të njësisë monetare EURO si dhe fushatën e reklamave për këtë njësi që do të futet në përdorim në një rajon me 300 milion banorë. Kartmonedhat dhe monedhat Euro do të futen në qarkullim në 12 vende evropiane duke filluar nga data 1 janar 2002. Banka qendrore evropiane është përpjekur ta shtyjë sa më shumë momentin e paraqitjes së kartmonedhave euro për të minimizuar shanset e kriminelëve për falsifikimin e saj. Shtatë prerjet e kartmonedhave të reja do të dallohen nga njëra-tjetra nga madhësia dhe ngjyrat, megjithëse dizenjoja e përdorur do të jetë e njëjta në të gjitha vendet dhe do të paraqesë simbole të përgjithshme të kulturës evropiane, pa shenja të ndonjë kombi apo etniciteti të caktuar. Ndërkaq, tetë prerjet e monedhave metalike do të kenë të njëjtën dizenjo nga njëra anë, dhe nga ana tjetër do të kenë motive të ndryshme kombëtare, duke krijuar 96 variante për 12 vendet ku do të futen në qarkullim. Njësitë monetare të 12 vendeve pjesëmarrëse në program do të përdoren për deri në dy muaj pas futjes në qarkullim të Euros. Rreth 14 miliard e gjysmë kartmonedha dhe 50 miliardë monedha po prodhohen për qarkullim. Banka Qendrore Evropiane do të fillojë një fushatë reklamash 80 milion dollarëshe në shtator. Qëllimi i fushatës është të informojë konsumatorët për futjen në qarkullim të Euros, si dhe t’i njohë ata me mënyrat për të dalluar kartmonedhat e rregullta nga ato fallco. Kompania e reklamave Publicis fitoi kontratën për këtë fushatë. Ajo ka krijuar një motiv të përbashkët për të gjitha reklamat që do të transmetohen në 12 vendet ky futet në qarkullim monedha, në 10 gjuhët që përdoren në këto vende.

XS
SM
MD
LG