Lidhje

Cili është qëndrimi i opozitës për parlamentin e ri? - 2001-09-03


VOA: Zoti Berisha, sot ju keni zhvilluar një mbledhje me deputetët e opozitës, a mund të na njofton se çfarë vendimi keni marrë përsa i përket pjesëmarrjes në parlamentin e ri?

Berisha: Ne jemi të vendosur që në parlament të mos marrim pjesë por të bëjmë çdo përpjekje për rikthimin e legjimitetit të vjedhur, të shkatërruar nga socialistët e këtij parlamenti. Pra ne do marrim pjesë në një parlament legjitim dhe rikthimi i legjimitetit të institucioneve shqiptare është prioriteti ynë më absolut. Sot ne vendosëm që sagën apo etapën e protestave dhe të qëndresës së fuqishme për legjimitetin e institucioneve ta nisim me shembullin tonë personal dhe në mënyrë të qytetëruar. Natyrisht ne inaguruam parlamentin e Dushkut se në fakt ky parlament në histori do të mbetet më shumë se çdo gjë tjetër mjerisht parlamenti i Dushkut ku një zonë me 10 mijë votues prodhoi 10 deputetë, pra sa ç’u përfaqësuan me deputetë 9 distrikte të Shqipërisë me gjysëm milioni qytetarë.

VOA: Zoti Berisha a mendoni se me këtë strategji ju do të arrini qëllimet tuaja politike?

Berisha: Strategjia jonë është një bashkëpunim i ngushtë me komunitetin ndërkombëtar dhe mazhorancën shqiptare mbase siç e dini ju në këto zgjedhje logoja e Partisë Demokratike e vërtetë dhe ajo e vjedhura nga qeveria ka dalë logoja më përfaqësuese mbas flamurit kombëtar. Unë kam bindjen më të thellë se gjëja më jetike për këtë vend, për stabilitetin dhe strategjinë e tij është rikthimi i legjimitetit të institucioneve dhe respektimi i vullnetit të lirë të shqiptarëve. Nuk mund të bëhet fjalë për vullnet të lirë të shqiptarëve kur në rrethin e Durrësit kanë votuar për Bashkimin për Fitore 32 mijë zgjedhës dhe ka vetëm një kandidat që përfaqëson këtë koalicion ndërkohë që kanë votuar për socialistët vetëm 22 mijë zgjedhës dhe ka 4 kandidatë secili më trafikan, secili më i inkriminuar se shoku që përfaqësojnë qytetin e Durrësit në fakt anti vlerat dhe jo vlerat e tij.

VOA: Zoti Berisha sipas të gjitha gjasave komuniteti ndërkombëtar ndonëse pritet të kritikojë proçesin zgjedhor në Shqipëri ai do ta mbështesë qeverinë e kryeministrit Meta. Me qëndrimin e saj a mos rrezikon opozita që të vetpërjashtohet nga proçesi politik. A keni shqetësim se ju mund të izoloheni?

Berisha: Jo ne nuk kemi asnjë shqetësim. Ne përkundrazi kemi patur dhe kemi një akses dhe mirëkuptim të plotë me komunitetin ndërkombëtar. Unë mund tu them ju se institucione dhe qeveri jo të pakta na kanë deklaruar ne se ajo që ka ndodhur me zgjedhjet nuk është për teknicitet por për vullnet politik të atyre që e bënë, natyrisht unë jam shumë i vetdishëm se procese të tilla fondamentale duhet të zgjidhen nga vetë aktorët e skenës politike shqiptare por ne mund tu garantojë se kemi dhe do të kemi mbështetje në rritje për këto procese. Natyrisht, të mendohet se do të përjashtohemi ne përkundrazi mendojmë se do të rrisim përfshirjen tonë mbasi ne kemi një mbështetje shumë të fuqishme si brenda ashtu do të thosha edhe ndërkombëtare për kauzën për të cilën po përpiqemi.

VOA: Zoti Berisha disa analistë mendojnë se do të ishte shumë më efektive për partinë demokratike që të marr pjesë në parlament ndërkohë që vazhdon të pohojë se nuk e njef parlamentin si të ligjshëm. Si reagoni ndaj këtyre vlerësimeve?

Berisha: Unë e kuptoj dhe kam mirëkuptim por dua të shprehem këtu se dallimi më esencial midis, po flas për rastin konkret, midis meje dhe kolegëve të mi dhe kolegëve tanë në botë është ky se ata kanë patur fatin e mirë të mos jenë ndonjëherë fasadë. Kurse ne kemi kaluar dekada në fasadë dhe kemi bindjen e plotë se ndonëse demokracia është pjesmarrje dhe gjëja më e madhe është pjesmarrje në demokraci, kemi bindjen se fasada është shërbimi më i keq që ne mund ti bëjmë vendit tonë dhe ne nuk kemi vënë në diskutim këtu se jemi fitues apo jemi të humbur, unë jam i pari politikan shqiptar që kam pranuar rezultatin e zgjedhjeve duke qënë i bindur se 37 përqindëshi nuk përbën fitore sikundër kam ftuar kundërshtarët e mi ta pranojnë i bindur se 42 përqindshi me ligjin shqiptar nuk përbën kurrsesi fitore, por pas kësaj ata u lëshuan me një tërbim të verbër mbi votën duke marr mandate, përdorën të gjithën instrumentat dhe vendosën duke thyer ligjin, ligji kushtetues i tyre thotë se përqindja e votave, përqindja e vendeve në parlament duhet të jetë përafërsisht i njëjtë me përqindjen e votave, por faktikisht s’kanë ligj as Maliq në këtë mënyrë për opozitën që ka 42 përqind vota, ka 36 % vende në parlament, kurse socialistët me vetëm 41 përqind të votave kontrollojnë 54 % të parlamentit dhe po në mënyrë të paligjshme siguruan me aleatët e tyre të kontrollojnë 2/3 e parlamentit, pra janë ata që deligjitimuan tërësisht këtë institucion që për ne është një tempull kryesor i demokracisë dhe i tillë do mbetet.

VOA: Pas çdo zgjedhje, partia që nuk fiton bën një analizë të punës së saj. Partia juaj shpeshherë është kritikuar për mungesë demokracie brenda rradhëve. A mund të pritet një rivlerësim i rolit të partisë dhe i rolit tuaj si kryetar i Partisë Demokratike në një të ardhme të afërt?

Berisha: Kjo është një parti që ka bërë analiza të njëpasnjëshme dhe nuk i shmanget kurrë analizave dhe unë mendoj se mbi bazën e këtyre analizave ajo doli nga një traum e madhe në 97-ën në një tronditje me 25 % ja doli që në 2001 të jetë sigla e parë e vendit. Sidoqoftë absolutisht ka nevojë për ridimensionim, për një analizë më të hollësishme si të kryetarit të kryesisë dhe të gjitha instancave por natyrisht këto asnjë s’mund të zbehin, atë qëllim më madhor që kemi ne në rikthimin e ligjimitetit të parlamentit dhe institucioneve në Shqipëri.

VOA: Zoti Berisha disa kundërshtarë ju kanë bërë thirrje që të tërhiqeni. A e keni në plan një gjë të tillë?

Berisha: Tani, kur ta bëjnë kundërshtarët, e kundërta duhet të të shkoj në mend. Por po të ma bëj partia ime unë kam mendim shumë të ndryshëm.

XS
SM
MD
LG