Lidhje

Maqedoni: Vazhdon kthimi i refugjatëve - 2001-09-05


Që nga dita e shunë, në Maqedoni janë kthyer çdo ditë nga Kosova më shumë se 800 refugjatë. Agjencie Kombeve të Bashkuara për refugjatët thotë se ritmet e larta të kthimit të të zhvendosurve vazhdojnë.

Sipas agjencisë, vetë refugjatët thonë se ajo që ka nxitur kthimin në masë të tyre është besimi se trupat e Natos do të ofrojnë mbrojtje për të kthyerit. Por kjo nuk është plotësisht e vërtetë, thonë disa nga të kthyerit në zonën e Kumanovës. Ata thonë se kthimi në disa fshatra është ende i pasigurt.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët vëren se prania e trupave të Natos në Maqedoni për grumbullimin e armëve të luftëtarëve shqiptarë, po krijon një atmosferë të rreme sigurie, duke i bërë njerëzit të kthehen në zona të cilat janë ende të pasigurta.

Gjatë dy muajve të kaluar, mbi 36 mijë refugjatë janë kthyer nga Kosova në Maqedoni, ndërsa 45 mijë të tjerë vazhdojnë të jenë në Kosovë. Fillimi i vitit shkollor është një arësye tjetër që i shtyn prindërit refugjatë të kthehen. Ata thonë se programet shkollore në Kosovë janë të ndryshme nga ato në Maqedoni.

Disa persona të zhvendosur në rajonin e Kumanovës kanë shprehur shqetësim se me afrimin e dimrit, ata do ta kenë të vështirë të jetojnë në banesat e përkohshme ku janë sistemuar. Në një takim me agjencitë e ndihmave, përfaqësuesit e të zhvendosurve maqedonas dhe serbë i kërkuan qeverisë që të marrë masa për të përmirësuar sa më shpejt kushtet në katër qendra kolektive si dhe në familjet që strehojnë refugjatët në Kumanovë. Ata thonë se me ardhjen e dimrit jetesa do të bëhet më e vështirë. Në Kumanovë ndodhen banorë nga Haraçina dhe Likova, kur aty shpërthyen luftimet në muajin maj dhe qershor. Shumica e fshatrave të atjeshme vazhdojnë të jenë të shkreta.

Po sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, shumë familje që strehojnë të zhvendosurit brenda Maqedonisë ose personat e kthyer nga Kosova, nuk kanë mjetet e domosdoshme financiare për t’i ndihmuar ata dhe e vetmja mënyrë është që forcat e sigurimit t’i lejojnë këta njerëz të kthehen në shtëpitë e tyre. Njerëzit janë aq të dëshpëruar saqë janë gati të marshojnë më këmbë për në fshatrat e tyre nëse nuk ndihmohen për tu kthyer. Në Kumanovë, sipas agjencisë për refugjatët, numri i tyre i kalon të 10 mijët.

XS
SM
MD
LG