Lidhje

Kalendari historik i datës 6 shtator - 2001-09-06


Më 6 shtator të vitit 1978, udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Egjiptit dhe Izraelit filluan një seri takimesh që përfunduan me një marrëveshje për të cilën shprehuan se do t’i shërbente përhapjes së paqes në Lindjen e Mesme. Presidenti Jimmy Carter ishte ndërmjetësuesi i këtyre bisedimeve që u zhvilluan në Camp David të shtetit Maryland. Kur presidenti Carter, presidenti i Egjiptit, Anwar Sadat dhe kryeministri i Izraelit, Menahem Begin u kthyen në Washington, bënë të ditur se kishin rënë dakord për kushtet e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Egjiptit dhe Izraelit, si dhe për procesin e paqes. Ishte një mëngjes i bukur me diell në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, kur Presidenti Sadat dhe Kryeministri Begin deklaruan se marrëveshja do të shërbente si një platformë për paqen në Lindjen e Mesme, ndërsa presidenti Carter foli për fitoren e paqes kundër luftës: Të dy udhëheqësit që do të hyjnë në historinë e kombeve, Presidenti Anwar El-Sadat dhe Kryeministri Menahem Begin, e kanë kryer këtë fushatë me të gjithë kurajon, korrektesën, zgjuarsinë dhe frymëzimin e atyre gjeneralëve që kanë drejtuar njerëzit dhe mjetet në fushat e betejës.

Më 6 shtator 1966, vdiq në moshën 82-vjeçare Margaret Sanger, aktivistja e lëvizjes feministe, e cila njihet si krijuese e termit kontrolli i lindjeve. Sanger kishte qenë infermiere që punonte në lagjet e varfëra të Nju Jorkut, ku familjet zakonisht ishin të mëdha. Ajo i kishte vënë detyrën vetes të emanciponte gratë nga shtatëzanitë e padëshiruara që ajo i quante skllavëri. Ja ç’thotë për të historiania Linda Gordon. Në atë kohë, gratë e pasura kishin mundësi të vizitoheshin te mjekët privatë të cilët u këshillonin atyre mjete anti-konceptive, ndërsa gratë e varfëra as që i kishin këto mundësi dhe bile nuk e dinin fare se ekzistonin mjete për të kontrolluar lindjet. Margaret Sanger pa me sytë e saj se si shumë gra vuanin fizikisht dhe mendërisht nga shtatëzanitë e padëshiruara. Sanger themeloi Lidhjen Amerikane për Kontrollin e Lindjeve.

XS
SM
MD
LG