Lidhje

Nato: mbledhja e armëve të përfundojë më 26 shtator - 2001-09-06


Parlamenti i Maqedonisë ka në plan të rifillojë sot debatin mbi ndryshimet kushtetuese në bazë të kushteve të marrëveshjes së paqes të arritur nga udhëheqësit politikë maqedonas dhe shqiptarë të vendit. Marrëveshja ka për synim t’i japë fund konfliktit prej disa muajsh me grupet e armatosura shqiptare. Ligjvënësit kanë vazhduar diskutimet për katër ditë nëse t’i miratojnë ndryshimet e propozuara kushtetuese për t’u dhënë shqiptarëve të drejta më të mëdha. Deputetët nacionalistë thonë se shtojcat e propozuara kushtetuese do të nxisin sulme të mëtejshme nga ana e grupeve të armatosura shqiptare. Nuk është caktuar ndonjë afat për debatin parlamentar dhe as nuk është e sigurt se kur do të mbahet votimi. Zyrtarët e Natos thonë se pasi ligjvënësit të miratojnë ndryshimet kushtetuese, aleanca do të fillojë fazën e dytë të mbledhjes së armëve dhe thekson se afati për t’i dhënë fund programit të mbledhjes së armëve përfundon më 26 shtator. Natoja ka dërguar në Maqedoni më shumë se 4 mijë e 500 trupa për të mbledhur armët që dorëzojnë kryengritësit shqiptarë. Luftëtarët po dorëzojnë armët e tyre në shkëmbim të reformave që do t’u siguronin shqiptarëve të Maqedonisë më shumë të drejta. Kryengritësit kanë dorëzuar më shumë se 1 mijë e 200 nga 3 mijë e 300 armët që parashikohet të dorëzojnë. Mirëpo, ata thonë se nuk do të dorëzojnë më derisa parlamenti i Maqedonisë të votojë për zbatimin e reformave. Diplomatët në Maqedoni shprehin shqetësimin se tërheqja e Natos pas përfundimit të mandatit të misionit të saj do të krijojë një boshllëk përsa i përket sigurisë në këtë vend. Mirëpo aleanca, e cila aktualisht është e ndërlikuar në dy operacione ushtarake pa afat të caktuar në Bosnje e Kosovë, nuk duket aq e gatëshme të qendrojë në Maqedoni. Njoftimet gjatë ditëve të fundit kanë lënë të kuptohet se Natoja mund ta zgjasë misionin e saj përtej 26 shtatorit. Mirëpo, zëdhënësi i aleancës, Yves Brodeur, u tha gazetarëve në Bruksel se Natoja nuk është duke shqyrtuar mundësinë e një misioni të ri apo zgjatjen e mandatit të Operacionit Esential Harvest për mbledhjen e armëve. Zëdhënësi i Natos tha se operacioni i mbledhjes së armëve ka vazhduar pa probleme dhe se tani i takon qeverisë maqedonase të vendos se si ta shfrytëzojë rastin e volitshëm për paqe dhe qëndrueshmëri që është krijuar nga çarmatimi i kryengritësve. Zoti Brodeur theksoi se Natoja dëshiron të marrë pjesë në këtë proces, por nuk dha hollësi të tjera. Ndërkaq shoqata Human Rights Watch, me seli në New York, bëri thirrje për fillimin e një procesi hetimor lidhur me akuzat për vrasjen e 10 shqiptarëve muajin e kaluar nga forcat maqedone.

XS
SM
MD
LG