Lidhje

Trajkovski: jo zgjatjes së pranisë së Natos - 2001-09-08


Presidenti i Maqedonisë Boris Trajkovski hodhi poshtë thirrjet perëndimore për zgjatjen e pranisë paqeruajtëse ndërkombëtare në vend, pas largimit të pritshëm të trupave të Natos në fillim të muajit të ardhshëm.

Gjatë një interviste njëorëshe në radion shtetërore, zoti Trajkovski tha se nuk është e nevojshme që Natoja të qendrojë si garantuese e paqes. Ai tha se nëse Natoja qendron, kjo vetëm sa do t’i jepte Maqedonisë një pamje të rreme sigurie dhe do të krijonte një Bosnje ose Kosovë tjetër në Ballkan.

Faza e dytë e operacionit të Natos për mbledhjen e armëve të luftëtarëve shqiptarë filloi këtë javë ndërsa deri të premten, trupat e Natos kishin mbledhur qindra armë, përfshirë një tank dhe një autoblindë maqedonase të kapur nga luftëtarët shqiptarë në Radushë.

Forca e Natos prej 4 mijë e 800 trupash, e udhëhequr nga britanikët, shpreson që deri më 27 shtator të ketë mbledhur 3 mijë e 300 armë.

Pasi të jetë mbledhur pjesa më e madhe e armëve, parlamenti i Maqedonisë do të kalojë në fazën tjetër të planit të paqes të mbështetur nga perëndimi. Marrëveshja kërkon shtimin e të drejtave civile për shqiptarët si dhe hapjen e rreth 1 mijë vendeve për shqiptarët në forcën policore të Maqedonisë.

Pritet që brenda muajit parlamenti maqedonas të votojë për 36 amendamente të Kushtetutës që u japin shqiptarëve më shumë të drejta. Ky debat konsiderohet si një fazë kritike e procesit të paqes por disa vëzhgues perëndimore janë të shqetësuar se deputetët radikalë maqedonas mund ta minojnë krejt procesin duke kundërshtuar ndryshimet e propozuara.

Shqetësime të tilla kanë bërë që Bashkimi Evropian të aludojë për dërgimin e një force të tij pas largimit të Natos, një hap ky që, sipas zotit Trajkovski do të bënte më shumë dëm se sa mirë.

Zoti Trajkovski shfrytëzoi gjithashtu rastin e 10-vjetorit të pavarësisë nga Jugosllavia për të parlajmëruar luftëtarët shqiptarë se do të asgjësohen nëse nuk e respektojnë paqen e brishtë pas largimit të trupave të Natos.

XS
SM
MD
LG