Lidhje

Maqedoni:vazhdon dorëzimi i armëve - 2001-09-09


Natoja hapi një qendër tjetër për grumbullimin e armëve të luftëtarëve shqiptarë në Maqedoni. Sot dorëzimi i armëve bëhet në fshatin Brodec afër Tetovës.

Të premten, Natoja filloi një fazë të dytë në operacionin e saj për grumbullimin e rreth 3 mijë e 300 armëve të luftëtarëve shqiptarë deri më 26 shtator. Deri tani janë dorëzuar më shumë se 1 mijë e 200 armë.

Sipas planit, trupat e Natos duhet të largohen menjëherë pas mbarimit të operacionit. Ndërkohë, Presidenti i Maqedonisë Boris Trajkovski i hodhi poshtë thirrjet për zgjatjen e pranisë paqeruajtëse ndërkombëtare në vend, pas largimit të trupave të Natos. Ai tha se kjo do tu jepte maqedonasve një përshtypje të rreme sigurie dhe do të krijonte një Bosnje ose Kosovë tjetër në Ballkan.

Shqetësimi për një vakuum politik pas largimit të trupave të Natos e kanë shtyrë Bashkimin Evropian të studiojë se çfarë masash të tjera mund të merren për të garantuar sigurinë. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u takuan dje në Bruksel për të diskutuar këtë çështje.

Javën e kaluar, parlamenti maqedonas dha miratimin e tij për planin e paqes, i cili u jep shqiptarëve të drejta më të mëdha si shkëmbim për vendosjen e armëpushimit dhe dorëzimin e armëve.

Parlamenti pritet të votojë për 36 amendamente kushtetuese që parashikojnë zgjerimin e këtyre të drejtave.

XS
SM
MD
LG