Lidhje

BE: E premtja-ditë zie - 2001-09-13


Bashkimi Evropian e shpalli të premten ditë zie në shënjë nderimi për viktimat e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara. Bashkimi Evropian është zotuar se do të bëjë ç’është e mundur për të ndihmuar në kapjen e personave përgjegjës. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian mbajtën dje një takim të jashtëzakonshëm në Bruksel për të shprehur mbështetjen ndaj Shteteve të Bashkuara dhe për të shqyrtuar se çfarë veprimesh mund të ndërmarrin vendet anëtare.

Ministri i Jashtëm belg, Louis Michel, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, lexoi një deklaratë të ministrave të Jashtëm, në të cilën dënohen sulmet në New York dhe Washington. Ministrat e Bashkimit Evropian, tha zoti Michel, janë zotuar të bëjnë ç’është e mundur për kapjen e atyre që kryen sulmet.

“Bashkimi Evropian, tha zoti Michel përmes një përkthyesi nuk do të pushojë në përpjekjet për të identifikuar, për t’i kapur dhe për t’i sjellë para drejtësisë personat përgjegjës. Terrorizmi i organizuar, theksoi ai, nuk do të gjejë strehë askund.”

Në deklaratë udhëzohen ministrat e transportit dhe të drejtësisë të Bashkimit Evropian që të rishikojnë masat e sigurimit në aeroportet dhe stacionet hekurudhore evropiane për të parandaluar sulmet terroriste.

Po dje, kreu i Komisionit Evropian, Romano Prodi, tha se Shtetet e Bashkuara mbështetën Evropën në ditët e saj më të errta dhe tani Evropa po bën të njëjtën gjë për Amerikën. Pasi mbajti një minutë zi për viktimat e sulmeve, zoti Prodi u tha gazetarëve në Bruksel se këto veprime kriminale ishin një sulm kundër vetë lirisë.

Ndërkaq, zyrtarë të një banke franceze thonë se rreth 80 punonjës të zyrës së një filiali në Qendrën Botërore të Tregtisë në New York ende figurojnë të humbur, kurse kryeministri britanik, Toni Blair, ka thënë se pret që numri i viktimave britanike nga sulmet terroriste të jetë i lartë. Bashkimi Evropian e ka shpallur të premten ditë zie si shenjë nderimi për viktimat e sulmeve. Papa Gjon Pali i Dytë i quajti sulmet një ditë e errët në historinë e njerëzimit. Në Rusi, presidenti Vladimir Putin tha se vendi i tij do të mbajë sot një minutë zi në shenjë nderimi për viktimat.

Ai deklaroi se nuk do të lejohet që terrorizmi të dalë fitimtar dhe të përçajë botën. zoti Prodi tha se qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian do të punojnë nga afër me Shtetet e Bashkuara.

Nesër në mesditë, të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të mbajnë tre minuta zi, në shenjë nderimi për viktimat e sulmeve të së martës.

XS
SM
MD
LG