Lidhje

Evropa hesht 3 minuta për viktimat e sulmeve terroriste - 2001-09-14


Qytetarët e vendeve evropane janë bashkuar sot me amerikanët për të nderuar viktimat e sulmeve terroriste të së martës në Shtetet e Bashkuara. Shumë nga 800 milion banorët e 43 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës mbajtën 3 minuta heshtje në orën 10 sipas Grinuiçit.

Trafiku në Londër u bllokua ndërsa këmbanat e Big Benit, orës së madhe të qytetit filluan të binin në orën e caktuar. Në Francë këmbanat në kadedralen Notre Dame ranë në mbarë Parisin dhe pastaj heshtën në mesditë. Mesazhe të ngjashme pati në mbarë kontinentin, duke përfshirë ish vendet armike të Luftës së Ftohtë në Lindje.

Në Londër, kryeministri Tony Blair tha në një seancë të veçantë të Parlamentit se Britania mbështet plotësisht përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të gjykuar përgjegjësit për sulmet e kësaj jave në New York dhe Washington.

Kryeministri Blair tha se sulmet në Shtetet e Bashkuara ishin “të shëmtuara dhe të urruera” dhe shtoi se ato kishin në shënjestër jo vetëm popullin dhe ndërtesat në Amerikë por mbarë botën e qytetëruar moderne.

NATO-ja dhe Rusia thanë se janë të vendosura të shohin dënimin e atyre që janë përgjegjës për sulmet terroriste të kësaj jave.

XS
SM
MD
LG