Sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld i tha rrjetit televiziv Fox News, se Shtetet e Bashkuara nuk kanë rrugë tjetër veçse të godasin, jo vetëm terroristët, por edhe vendet që del se e mbështesin personin i cili është identifikuar nga zyrtarët amerikanë si i dyshuari kryesor për sulmet e së martës, Osama Bin Laden dhe rrjeti i tij.
”Në këto raste je i detyruar të vësh në shenjestër rrjetin terrorist, je i detyruar të vesh në shenjestër vendet që i strehojnë ata. Disa nga shtetet që strehojnë rrjete terroriste në fakt kanë objektiva të rëndësishme, ato kanë kryeqytete, kanë ushtri,” tha zoti Rumsfeld.
Ai thotë se pret që çfarëdo operacioni që presidenti do të vendosë të ndërmerret, do të jetë shumë më i gjerë dhe i zgjatur se sa sulmet ushtarake që u ndërmorrën si kundërpërgjigje ndaj shpërthimeve terroriste në ambasadat amerikane në Afrikë para tre vjetësh.
”Këtu nuk do të kemi të bëjmë me disa raketa kruz që fluturojnë sa për ta parë bota në televizion se diçka u shpërthye,” tha sekretari i mbrojtjes.
Ai nuk tha konkretisht se cilat do të ishin objektet që mund të goditeshin, por u shpreh vetëm se beteja kundër terrorizmit do të zhvillohet kundër atyre vendeve që e tolerojnë dhe e financojnë atë.