Lidhje

Klerikët afgan: Osama bin Laden të largohet vullnetarisht - 2001-09-20


Klerikët myslimanë në Afganistan kanë rekomanduar që udhëheqja Taleban t’i kërkojë Osama Bin Ladenit që të largohet nga Afganistani vullnetarisht. Klerikët e shpallën dekretin sot, pas takimeve 2-ditëshe në Kabul për të diskutuar lidhur me fatin e Bin Ladenit dhe kërcënimin e Shteteve të Bashkuara për sulme ushtarake hakmarrëse. Dekreti nuk përcakton ndonjë afat, por thekson se i mërguari saudit duhet të largohet brënda një kohe të arsyeshme. Në dekret thuhet gjithashtu se klerikët shprehën keqardhje për humbjen e jetëve në Shtetet e Bashkuara dhe shprehën shpresën që Washingtoni të mos kryejë sulme kundër Afganistanit. Klerikët thonë në dekretin e tyre se po sulmuan Shtetet e Bashkuara Afganistanin, një luftë e shenjtë do të jetë detyrë e të gjithë myslimanëve në përputhje me ligjin islamik. Klerikët bënë thirrje për hetime të pavarura nga Kombet e Bashkuara dhe Organizata e Konferencës Islamike lidhur me sulmet terroriste në New York dhe në Washington. Dje, udhëheqësi Taleban, Mullah Mohamad Omar tha se Osama Bin Laden nuk duhet të ekstradohet pa provat e duhura. Ai akuzoi Washingtonin për shfrytëzimin e mysafirit të Talebanit si pretekst për të shkatërruar qeverinë myslimane të Afganistanit. Presidenti Bush ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se lufta kundër terrorizmit nuk është një luftë kundër popullit të Afganistanit ose fesë myslimane. Por presidenti ka thënë se Shtetet e Bashkuara do ti gjejnë dhe ndëshkojnë terroristët dhe do të dënojnë edhe ata që strehojnë terroristët.

XS
SM
MD
LG