Lidhje

SHBA fillon dislokimin e forcave ushtarake - 2001-09-20


Shtetet e Bashkuara filluan ridislokimin e forcave ushtarake në mbarë botën në mbështetje të një ofensive të gjerë dhe të pandërprerë, siç përshkruhet ajo, kundër terrorizmit. Anije, aeroplanë dhe trupa janë tani në lëvizje në të gjithë botën në kuadër të operacionit “Infinite Justice” ose “Drejtësi pa Kufi”. Zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes thonë se kjo lëvizje forcash bëhet në mbështetje të përpjekjeve për të identifikuar, lokalizuar dhe mbajtur përgjegjës terroristët që kryen sulmet shkatërrimtare javën e kaluar në New York dhe Uashington dhe ata që i mbështesin dhe strehojnë ata. Nënsekretari i Mbrojtjes, Paul Wolfowitz, konfirmoi se lëvizjet ushtarake kanë filluar dhe se janë planifikuar edhe të tjera. Ai tha gjithashtu se rreth këtyre planeve do të jepen pak hollësi zyrtarisht. Mjetet e informimit bëjnë të ditur se Pentagoni po dërgon në rajonin e Gjirit Persik rreth 100 avionë, përfshirë avionë luftarakë, bombardues me rreze të gjatë veprimi, avionë vëzhgimi të lartësive të mëdha dhe avionë të posaçëm për furnizim me karburant në ajër. Mirëpo, zyrtarët e Pentagonit e bënë të qartë se rrjeti terrorist i Osama bin Ladenit vepron në një numër të madh vendesh. Në numrin e saj të sotëm, gazeta London Times shkruan se Shtetet e Bashkuara dhe Britania po planifikojnë një luftë 10 vjeçare kundër terrorizmit, e koduar “Operation Noble Eagle” ose “Operacioni Shqipinja Fisnike”. Gazeta britanike thekson se ky plan përfshin veprime ndërkombëtare diplomatike, ekonomike dhe politike, që kanë për synim zhdukjen e rrjeteve terroriste në gjithë botën.

XS
SM
MD
LG