Lidhje

Pentagoni vazhdon përqendrimin e forcave - 2001-09-22


Shtetet e Bashkuara po shtojnë forcat ushtarake brenda rrezes nga mund të goditet Afganistani.

Pentagoni po dërgon aeroplanë luftarakë dhe trupa në disa pika të Gjirit Persik dhe Oqeanit Indian, të cilat zyrtarët nuk i përmendin me emër. Ky është përqendrimi më i madh i trupave dhe armatimeve amerikane që nga lufta kundër Irakut 10 vjet më parë.

Sekretari i mbrojtjes Donald Rumsfeld dhe zyrtarë të tjerë kanë bërë pak komente rreth planeve ushtarake. Por nga Shtetet e Bashkuara është nisur një aeroplanmbajtëse e tretë, bombardues me rreze të gjatë veprimi dhe anije luftarake të afta për të lëshuar raketa kruz. Anijet do t’u shtohen dy grupeve të tjera luftarake tashmë të dislokuara. Gjithsej do të vihen në dispozicion rreth 400 aeroplanë nga bazat tokësore dhe aeroplanmbajtëset. Ndërkohë po përgatiten për veprim edhe forcat elitë të operacioneve të posaçme.

Sot Presidenti Bush ndodhet në Kemp Dejvid për të planifikuar kundërpërgjigjen ndaj sulmeve terroriste të javës së kaluar në New York dhe Washington.

Sipas disa njoftimeve presidenti dhe këshilltarët e tij janë të një mendimi se faza fillestare e luftës kundër terrorizmit do të përqëndrohet tek Osama bin Laden dhe rrjeti i tij terrorist Al-Qaida, që besohet se janë përgjegjës për sulmet terroriste të 11 Shtatorit. Sipas njoftimeve, planet afatgjata kundër organizatave terroriste me ndikim që shtrihet në të gjithë globin, ende nuk janë vendosur.

XS
SM
MD
LG