Lidhje

Bush bllokon pasuritë e bin Ladenit - 2001-09-24


Presidenti Bush ka ngrirë të gjitha llogaritë bankare të terroristit të dyshuar, Osama Bin Laden dhe organizatës së tij Al-Kaida. Zoti Bush tha sot në një fjalim televiziv se dekreti i tij ndalon edhe bizneset me bazë në Shtetet e Bashkuara që të kryejnë transaksione me njerëz apo grupe që dyshohen se mbështesin terrorizmin. Zoti Bush tha se Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të ndërpresin veprimtarinë e 27 grupeve dhe organizatave të ndryshme, duke përfshirë edhe korporata që thuhet se mbështesin terrorizmin. Ai nuk përmendi me emër asnjë operacion të dyshimtë, por tha se dekreti i tij përfshin disa organizata jo-fitimprurëse që dyshohet se janë përdorur si mburojë për aktivitete terroriste. Autoritetet thonë se një dekret i ngjashëm u nënshkrua edhe nga presidenti Klinton në vitin 1998, por nuk u arrit që të bllokohej asnjë nga pasuritë e mëdha të Bin Ladenit, kryesisht sepse pjesa më e madhe e rrjetit të tij financiar të këtij milioneri të dyshuar për terrorizëm, vepron jashtë juridiksionit të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, ndryshe nga dekreti i vitit 1998, Presidenti Bush tha se dekreti i sotëm i jep të drejtën Shteteve të Bashkuara të bllokojnë pasuritë e çdo banke të huaj që refuzon të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara. Presidenti e lëshoi këtë dekret ndërkohë që më shumë se 4 mijë agjentë të FBI-së vazhdojnë të mbledhin të dhëna kundër të mërguarit saudit lidhur me aktet terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Rreth 7 mijë vetë mendohet se kanë vdekur në New York dhe Uashignton kur aeroplanë të rrëmbyer goditën qendrën Botërore të Tregtisë dhe Pentagonin.

XS
SM
MD
LG