Lidhje

Terrorizmi - një llojë tjetër lufte - 2001-09-24


“Armiqtë tanë nuk janë një apo dy udhëheqës terroristë, apo madje një organizatë apo rrjet terrorist. Është një rrjet i gjerë individësh dhe organizatash që janë të vendosura të ushtrojnë terror dhe përmes tij të na mohojnë thelbin e asaj ç’ka ne jemi: njerëz të lirë.” Kështu i përshkoi sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Rumsfeld përgjegjësit e sulmeve terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara.

Në përgjigje të këtyre sulmeve, Shtetet e Bashkuara, tha sekretari Rumsfled, do ta ndjekin problemin terrorist kudo që ai ekziston dhe ai ekziston në vende të ndryshme në mbarë globin. Ai theksoi se organizata terroriste al-Qaida, e drejtuar nga Osama bin Laden, mund të ketë veprimtari në 50-60 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara”. Edhe pse të maskuara mirë, al-Qaida e grupe të tjera terroriste mund të gjenden dhe shkatërrohen.

“Ata nuk jetojnë në Anktartidë”, tha zoti Rumsfeld. “Ata punojnë, stërviten dhe thurrin plane në vende të caktuara. Ata përfitojnë nga qeveritë që i përkrahin. Ata përfitojnë nga mbështetja e organizatave jo-qeveritare që i përkrahin në mënyrë aktive me para, informacione dhe armë, apo nga ata që i lejojnë të funksionojnë në territorin e tyre dhe mbyllin sytë, për të mos thënë se i inkurajojnë veprimtaritë e tyre.”

“Për të ndaluar terroristët, tha sekretari Rumsfeld, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët duhet të thajnë burimet nga ata ushqehen. Kjo do të thotë se “nuk duhet të merremi vetëm me terroristët, por edhe me ata që i strehojnë ata.” Të godasësh këto rrjete terroriste, të shkatërrosh mundësitë për strehimin e tyre dhe të sistemet që i mbështesin ata, do të kërkojë strategji dhe taktika qartësisht të ndryshme nga ato të përdorura gjatë luftrave më tradicionale.

“Në të kaluarën, ne ishim mësuar të ndesheshim me ushtri në tokë, me forcat të marinës apo ato ajrore”, tha zoti Rumsfled. “Ky kundërshtar është i ndryshëm. Ai nuk ka asnjë prej këtyre gjërave. Nuk ka objektiva me vlerë që mund t’ia sulmojmë. Por vendet që i përkrahin dhe strehojnë grupet terroriste i kanë këto lloj objektivash.”

Lufta kundër grupeve terroriste dhe shteteve që i mbështesin, do të kërkojë një përpjekje të gjatë e të vazhdueshme, një përpjekje të cilën amerikanët janë të gatshëm ta bëjnë. Siç ka thënë presidenti George W. Bush, “Amerika do t’i mbajë përgjegjës këta keqbërës”.

XS
SM
MD
LG