Lidhje

Rumsfeld mbi çrrënjosjen e terrorizmit - 2001-09-25


Sekretari amerikan i mbrojtjes Donald Rumsfeld thotë se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta eliminojnë terrorizmin global por do të ndërmarrin hapa për të mos lejuar që ai të prekë mënyrën amerikane të jetesës si dhe interesat amerikane.

Sekretari Rumsfeld thotë se çrrënjosja e terrorizmit botëror është objektiv tepër i gjerë dhe i kalon caqet e veprimeve që Shtetet e Bashkuara kanë në plan të ndërmarrin pas asaj që ndodhi në Nju Jork dhe në Uashington.

Por, duke folur përpara gazetarëve në Pentagon, zoti Rumsfeld tha se administrata e Presidentit Bush po studion një gamë të gjerë alternativash, ushtarake ose të tjera, të cilat synojnë të mbrojnë mënyrën amerikane të jetesës dhe interesat e Shteteve të Bashkuara në botë.

Ajo që na duhet të bëjmë është ta luftojmë terrorizmin në atë mënyrë që ai të mos kërcënojë mënyrën tonë të jetesës. Përpjekja për ta çrrënjosur përfundimisht në çdo qelizë të tij kudo në botë, kjo më duket se është një detyrë tepër e madhe, tha zoti Rumsfeld.

Sekretari i mbrojtjes tha se Shtetet e Bashkuara po i pozicionojnë forcat e tyre në mënyrë të tillë që, kur Presidenti Buish të vendosë për të ndërmarrë veprime ushtarake, autoritetet e mbrojtjes të jenë në gjendje të fillojnë sulmet.

Por duke iu përmbajtur politikës së Pentagonit për të mos folur mbi çështjet e operacioneve luftarake, ai nuk nuk dha hollësi mbi lëvizjet e fundit të trupave amerikane.

Zoti Rumsfeld mori pjesë në konferencën e shtypit së bashku me Sekretarin e Strehimit, Mel Martinez, i cili njoftoi shkurtimin e interesave të kredive për blerje shtëpish dhe lëshime të tjera në favor të rezervistëve, të cilët janë thirrur në shërbim aktiv që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit.

XS
SM
MD
LG