Lidhje

Opozita afgane përparon - 2001-09-25


Aleanca e armatosur e opozitës afgane njofton për suksese të reja në luftën kundër Talebanëve në pjesën veriore të Afganistanit, ndërkohë që vazhdon sulmin drejt qytetit të rëndësishëm, Mazar-i-Sharif.

Kapja e këtij qyteti do t’i krijonte mundësi opozitës të rihapte disa rrugë të rëndësishme furnizimi nga vendet e Azisë Qendrore. Mazar-i-Sharif ndodhet rreth 70 kilometra larg kufirit me Uzbekistanin. Dje paradite talebanët konfirmuan njoftimin se opozita kishte pushtuar qytetin Zari, i cili ndodhet 60 kilometra në jug të Mazar-i-Sharif.

Qyteti ndodhet pranë një rruge të rëndësishme për në Uzbekistan. Ndërkohë ka pasur njoftime për shkëmbime zjarri me artileri dje në orët e para të mëngjesit, në Luginën Panshir, rreth 60 kilometra në veri të kryeqytetit të Afganistanit, Kabul.

Luftimet janë intensifikuar në atmosferën e përpjekjeve amerikane për dislokimin e trupave për një goditje të mundshme ushtarake kundër bin Ladenit, të cilin talebanët e strehojnë në Afganistan.

XS
SM
MD
LG