Lidhje

Shtetet e Bashkuara sulmojnë financat e terrorizmit - 2001-09-25


Shtetet e Bashkuara kanë bërë publike një listë individesh dhe grupesh të identifikuara si pjesë e rrjeteve terroriste ndërkombëtare. Presidenti Bush nxorri një urdhër ekzekutiv me të cilin bllokon pasuritë e 27 organizatave terroriste, udhëheqësve terroristë individualë si dhe të ashtuquajturave korporata dhe shoqata bamirëse që shërbejnë si grupe terroriste të vijës së parë.

Presidenti Bush tha se Shtetet e Bashkuara do t’u presin terroristëve fondet, do t’i vënë ata kundër njëri-tjetrit, do t’i nxjerrin nga vendet ku fshihen dhe do t’i sjellin para drejtësisë. Organizatat terroriste që janë vënë në shënjestër përfshijnë grupin Al Qaida të mbështetur nga talebanët, grupin Abu Sayyaf me bazë në Filipine, Grupin e Armatosur Islamik dhe Grupin Salafist për Thirrje dhe Luftë në Algjeri, organizatën Harakat Ul-Mujahidin në Kashmir, Xhihadin Islamik Egjiptian, Lëvizjen Islamike të Uzbekistanit, Grupin Luftarak Islamik Libian, organizatën Asbat al-Ansar në Liban, grupin Al-Itihaad në Somali dhe Ushtrinë Islamike të Adenit.

Në urdhërin ekzekutiv përfshihet gjithashtu grupi Maktab Al-Khidamat dhe organizata humanitare Wafa. Këto organizata maskohen si bamirëse, por në fakt janë grupe të vijës së parë për terroristët. Janë idenfikuar edhe dy korporata të rreme: Trusti Al-Rashid dhe kompania e eksport-importit Mamoun Darkazanli. Shtetet e Bashkuara synojnë t’i nxjerrin këto kompani jashtë biznesit të terrorizmit.

Pasuritë personale të kryeterroristit Osama bin Laden do të bllokohen së bashku me ato të bashkëpunëtorëve të tij. Këtu përfshihet Ayman al-Zawahiri, themelues i Xhihadit Islamik Egjiptian, ndaj të cilit janë ngritur akuza për rolin e tij në sulmet me bomba kundër ambasadave amerikane në Tanzani dhe Kenia; Muhammad Atef, numri 2 i Grupit al-Qaida dhe Abu Zubaydah, terrorist palestinez që besohet se është një nga planifikuesit kryesorë për sulmet terroriste të al-Qaidas.

Kjo listë është vetëm fillimi, tha Presidenti Bush. Shtetet e Bashkuara do të bllokojnë edhe fondet e personave të tjerë kur të zbulohet se ata ndihmojnë dhe nxisin organizatat terroriste në botë.

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur një qendër për ndjekjen e pasurive të terroristëve jashtë vendit, e cila kërkon dhe konfiskon fondet që përdoren për vrasjen e njerëzve të pafajshëm nga Nju Jorku në Filipine. Për këtë qëllim, ato po bashkëpunojnë ngushtë me Kombet e Bashkuara dhe me Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara kanë hartuar një listë të personave më të kërkuar në fushën e financave ndërkombëtare. Kjo, tha Presidenti Bush, i dërgon një mesazh botës financiare: nëse bëni biznes me terroristët, nëse i mbështesni ose i ndihmoni ata, ju nuk do të bëni dot biznes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

XS
SM
MD
LG