Lidhje

Afganët organizojnë demostrata anti-amerkane në Kabul - 2001-09-26


Mijra afganë zhvilluan një demonstratë anti-amerikane në Kabul, që u përshkrua si manifestimi më i madh i protestës në kryeqytetin e vendit pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Shqypi Islamik me bazë në Pakistan bëri të ditur se demonstruesit u vunë zjarrin disa automjeteve brenda kompleksit të ambasadës së vjetër amerikane. Ndërsa stacioni televiziv satelitor Al-Jazeera në Katar tregoi pamje të kompleksit të boshatisur nga ku dilte tym.

Demonstruesit protestonin ndaj kërcënimeve amerikane për goditje ushtarake kundër regjimit Taleban të Afganistanit pasi ky i fundit ka refuzuar të dorëzojë Osama Bin Ladenin, të cilin autoritetet amerikane e kanë identifikuar si të dyshuarin kryesor për sulmet e 11 shtatorit në Uashington dhe në New York.

Demonstrata zhvillohet një ditë pasi presidenti Bush i bëri thirrje popullit të Afganistanit që të marrë pjesë në luftën kundër terrorizmit, ndërsa sekretari i Mbrojteis, Donald Rumsfeld, paralajmëroi se fushata do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Presidenti Bush tha se qëllimi i kësaj fushate nuk është përmbysja e regjimit taleban, por ai tha se ata që kundërshtojnë këtë regjim shtypës, siç u shpreh presidenti, mund të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara të gjejnë personat përgjegjës për aktet terroriste.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, theksoi se fushata në shumë drejtime kundër terrorizmit, që tashmë po merr formë, do të jetë e gjerë, e vazhdueshme dhe e rrezikshme. Ai la gjithashtu të kuptohet se ajo nuk do të fillojë me ndonjë sulm masiv.

Zoti Rumsfeldt tha gjithashtu se operacionet ushtarake të fushatës globale të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara do të quhen Përpjeke të Pamposhtura për Liri, duke zëvendësuar kështu termin e mëparshëm Drjtësi e Pafundme që u konsiderua ofenduese nga myslimanët.

Dje, organizata e Osama Bin Ladenit, lëshoi një deklaratë të re kërcënuese kundër Shteteve të Bashkuara. Në këtë deklaratë që iu dërgua me faks agjencieve të lajmeve në Pakistan, rrjeti Al-Kaida thotë se në qoftë se sulmohet Afganistani, ajo do të hakmerret duke vënë në shënjestër amerikanët dhe izraelitët kudo në botë.

Arabia Saudite ka prerë marrëdhëniet diplomatike me qeverinë Taleban, duke e lënë Pakistanin të vetmin vend që mban marrëdhënie me këtë regjim islamik. Presidenti Bush e vlerësoi këtë vendim të sauditëve, duke e quajtur atë një hap të mënçur.

XS
SM
MD
LG