Lidhje

Bush kërkon shtrëngimin e ligjeve të emigracionit - 2001-09-27


Adminsitrata amerikane po kërkon kompetenca më të zgjeruara për të ndaluar pa fat dhe dëbuar ata imigrantë që nuk kanë nënshtetësinë amerikane, të cilët ose kanë ndihmuar apo kanë patur lidhje me organizatat terroriste.

Sekretari i drejtësisë, John Ashcroft, i tha kongresit këtë javë se hetuesit federalë po shqyrtojnë më me hollësi imigrantë që ndihmojnë me para organizatat që kanë lidhje me terroristët. ”Ne propozojmë që çdo imigrant i cili përkrah materialisht një organizatë, për të cilën ai apo ajo e di ose mendohet se e di që është organizatë terroriste, duhet të jetë objekt për t’u dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.”

Por kritikuesit e kësaj kërkese të administratës druhen se imigrantë të pafajshëm mund ta pësojnë pas sulmeve terroriste në New York dhe Washington. Jeanne Butterfield është drejtorja ekzekutive e Shoqatës Amerikane të Avokatëve për Imigracinin. Ajo shpreh shqetësimin se imigrantët që nuk kanë nënshtetësinë amerikane, të cilët pa dijeninë e tyre japin para për një grup që ka lidhje me terroristët, mund të dëbohet pa patur të drejtën e apelit. ”Krijohen kushte ku mund të gabohet lehtësisht. Nëse unë jam emigrante dhe jap para për një spital dhe spitali kontrollohet nga një organizatë, njëri prej krahëve të të cilit mund të jetë angazhuar në veprimtari terroriste dhe unë nuk kam asnjë mundësi ta di diçka të tillë, kështu që fshesa e disa projetkligjeve që kemi patur rastin të shqyrtojmë do ta merrte me vete këtë njeri të pafajshëm për hir të zbatimit të ligjit. Dhe kjo, mendoj se nuk është korrekte. Ne duam që të ndëshkohen personat, të cilët me dijeni ndihmojnë veprimtaritë terroriste dhe unë mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm në përcaktimet tona për të qartësuar vijën e dallimit midis këtyre dy grupe njerëzish.”

Administrata po kërkon gjithashtu autoritet më të gjerë për ndalimin pa afat të imigrantëve pa nënshtetësi amerikane për t’i marrë në pyetje lidhur me komplotin terrorist të 11 shtatorit pa patur prova që mund t’i përdorin në një gjyq të mundshëm. Përsëri, prokurori i përgjithshëm, Ashcroft: ”Numri i të vdekurve është shumë i lartë dhe pasojat tepër të rënda. Së pari, ne duhet të parandalojmë sulme të tjera. Së dyti duhet të procedojmë të dyshuarit.”

Kërkesa për ndalim pa afat të imigrantëve e shqetëson ligjvënësin, John Conyers, kryetari i grupit demokrat në komitetin juridik të Dhomës. ”Ndalimi pa afat nuk gjen mbështetje në kushtetutë. Ne na duhet t’i kapim keqbërësit, por ndalimi pa afat nuk është lejuar nga gjykatat deri tani, kështu që ne e dimë se pa diskutime të tjera të shumta, ne mund të kemi probleme lidhur me këtë çështje.” Disa grupe që prej kohe kanë pëkrahur idenë për uljen e numrit të imigrantëve në Shtetet e Bashkuara po mbështesin propozimet e administratës. Roy Beck është president i shoqatës me emrin Amerikanët për Imigracion më të Mirë. Ai thotë se shqetësimet e Shteteve të Bashkuara për sigurinë duhet të marrin përparësi lidhur me të drejtat e atyre që nuk kanë nënshtetësi.”Është e rëndësishme të pranohet që ata nuk janë qytetarë amerikanë. Ata nuk kualifikohen për të gëzuar të drejta të plota të parashikuara në kushtetutë. Kështu çështja lidhur me këto ndalime nuk është nëse shkelet kushtetuta, sepse nuk kemi të bëjmë me diçka të tillë. Por në të kundërtën, kjo është e justifikuar dhe nuk është e pandershme ndaj njerëzve që ndalohen.”

Administrata e presidentit Bush po nxit përshpejtimin e vendimeve të kongresit përsa i përket projekt-ligjeve kundër-terrorizmit. Por disa demokratë e, madje, edhe pak republikanë, thonë se çdo ligj që ka të bëjë me liritë civile, nuk duhet të shqyrtohet me ngut nga kongresi.

XS
SM
MD
LG