Lidhje

Bush vazhdon takimet me këshilltarët - 2001-09-30


Presidenti Bush ndodhet në vendpushimin presidencial Camp David për një tjetër raund takimesh me këshilltarët e tij të lartë lidhur me përgjigjen amerikane ndaj sulmeve të 11 shtatorit.

Ai po shqyrton strategjinë me drejtorin e CIA-s, George Tenet, Këshilltaren e Sigurimit Kombëtar, Condoleezza Rice dhe me ndihmës të tjerë.

Dje, presidenti Bush e shfrytëzoi fjalimin e tij javor në radio për t’i njohur amerikanët me përpjekjet e reja në luftën kundër terrorizmit.

Ai foli për masat e marra lidhur me forcimin e sigurisë në aeroportet civile të vendit, bllokimin e pasurive financiare që lidhen me terroristët, dislokimin e trupave të tjera jashtë vendit dhe sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare për fushatën kundër terrorizmit.

Në disa njoftime të shtypit citohen zyrtarë të paidentifikuar amerikanë sipas të cilëve forca të zgjedhura të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë, ndodhen tashmë brenda Afganistanit për misione zbulimi. Zyrtarë të Pentagonit dhe të Departamentit britanik të Mbrojtjes, nuk kanë bërë komente.

Ndërkohë, lëvizja Taleban i Afganistanit thotë se në vend nuk kanë hyrë forca amerikane dhe ka mohuar një njoftim të stacionit televiziv Al-Jazira të Katarit, se forcat afgane të sigurimit kanë kapur tre komando amerikane në afërsi të kufirit me Iranin.

Zyrtarë të lartë të paidentifikuar të administratës amerikane i kanë cilësuar këto njoftimet si të pasakta.

XS
SM
MD
LG