Lidhje

Pardew: të respektohet marrëveshja - 2001-10-01


EB: Zoti Ambasador, si do ta vlerësonit përfundimin e fazës së parë të angazhimit të Natos në Maqedoni dhe njoftimin e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare për shpërbërjen e saj. Sa të rëndësishme janë këto dy zhvillime?

JP: Mendoj se janë shumë të rëndësishme. Nëse kujtojmë 1 korrikun kur filloi procesi i bisedimeve serioze, vendi ndodhej në prag të luftës civile dhe kudo zhvilloheshin luftime, ndërkohë që po krijohej një valë refugjatësh. Pra, është bërë shumë që nga 1 korriku. Vendi nuk është në luftë civile, nuk ka luftime në shkallë të gjerë, trupat e Natos u dislokuan dhe grumbulluan më shumë se 3800 armë, janë dorëzuar 400 mijë copë eksplozivë dhe UÇK-ja ka deklaruar se është shpërndarë. OSBE-ja dhe Natoja kanë premtuar se do ta vazhdojnë angazhimin e tyre në terren me një forcë të re të posaçme. Pra është bërë shumë. Përfundimi i misionit të Natos është me rëndësi. Ai ishte një sukses dhe mendoj se shënon një hap të madh në rrugën drejt një paqeje të qendrueshme.

EB: Si pjesë e marrëveshjes së paqes, UÇK-ja, ish luftëtarët e UÇK-së duhet të riintegrohen në shoqërinë maqedonase, por tani për tani ende nuk ka një amnisti. A jeni optimist se parlamenti do të miratojë një amnisti?

JP: Në fakt, një marrëveshje për aministi u arrit me ndërmjetësinë e Natos, midis Presidentit Boris Trajkovski dhe UÇK-së. Unë nuk mora pjesë në arritjen e saj por e di se një marrëveshje e tillë u arrit dhe kjo marrëveshje duhet të respektohet. Por nëse kjo do të miratohet nga parlamenti apo do të njoftohet përmes një deklarate, kjo do të varet nga qeveria apo nga Natoja që do të merren me përpunimin e hollësive. Por, natyrisht, amnistia ka qenë pjesë e procesit të paqes dhe marrëveshja e arritur duhet të respektohet.

EB: Zoti ambasador, në parlamentin maqedonas ka patur një debat të ashpër lidhur me këtë marrëveshje për paqe dhe me ndryshimet kushtetuese. A ekziston rreziku se procesi i paqes mund të minohet, për shembull nëse disa anëtarë të parlamentit po bëjnë thirrje për një referendum kombëtar lidhur me krejt marrëveshjen.

JP: Ne jemi kundër idesë së referendumit sepse kjo nuk ishte pjesë e marrëveshjes. Udhëheqësit e partive politike arritën marrëveshjen e cila u firmos zyrtarisht në Shkup dhe që ne mendojmë se ishte mëse e mjaftueshme për realizimin e një paqeje të qendrueshme. Debati rreth këtij procesi vazhdon, por partitë ranë dakord që kjo të përfundonte deri më 27 shtator, datë e cila ka kaluar. Pra, megjithë faktin se kemi patur shumë zhvillime pozitive, megjithëse Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë në terren ekipe që po shqyrtojnë programet e ndihmës, ne jemi të shqetësuar se data e caktuar kaloi dhe parlamenti nuk bëri të gjitha ato gjëra që kishte premtuar në marrëveshjen parimore. Megjithatë, ne u bëjmë thirrje udhëheqve politikë që të mbajnë angazhimet e tyre. Mendoj se ka rëndësi të veçantë fakti që ne kemi përfunduar me sukses misionin për grumbullimin e armëve.

EB: Disa shqiptarë po shprehin shqetësim lidhur me ekzistencën dhe veprimtarinë e të ashtuquajturave grupe paraushtarake maqedonase. Ka gjithashtu një farë frike për dhunë të mundëshme nëse forcat policore maqedonase hyjnë në zonat që deri tani ishin nën kontrollin e UÇK-së.

JP: Komuniteti ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara po bisedojnë me qeverinë e Maqedonisë lidhur me forcat e sigurimit dhe praninë e tyre në zonat delikate. Kjo çështje është mbuluar në marrëveshjen suazë. Ashtu siç përcaktohet në marrëveshje, në të ardhmen do të ketë një forcë policore të përzierë. Por çdo kthim i forcave të sigurimit do të duhet të planifikohet me kujdes. Natoja dhe OSBE-ja, sidomos vëzhguesit e Bashkimit Evropian dhe të OSBE-së do të jenë të angazhuar në çdo kthim që do të bëhet. Por çdo kthim i këtyre forcave duhet të jetë plotësisht transparent, të kryehet në bashkëpunim me udhëheqësit e komunitetit shqiptar, si me udhëheqësit e tyre të njohur politikë ashtu edhe me udhëheqësit e zgjedhur bashkiakë. Pra, çdo gjë që të bëhet duhet të mos vijë si e prapritur por të planifikohet me kujdes dhe në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar si dhe të bëhet në një mënyrë plotësisht transparente, në mënyrë që këtu të mos ketë të papritura dhe as kërcënime. Kjo është një çështje pajtimi dhe jo ndëshkimi. Përsa u përket paraushtarakëve, forca të tilla nuk duhet të ketë. UÇK-ja është çarmatosur dhe ne i gjykojmë ata në bazë të angazhimit që kanë bërë. Ne do t’i vëzhgojmë ata nga shumë afër. Po ashtu, përsa i përket palës maqedonase. Paraushtarakët, duke përfshirë disa që janë brenda forcave të policisë, rezervistë të policisë, duhet të shpërndahen dhe të dërgohen në shtëpi. Kjo nuk është kohë për ekstremistë. Kjo është një kohë për një polici normale dhe funksione normale të sigurimit.

EB: Pas sulmit terrorist Në Nju Jork dhe Pentagon, po dëgjojmë shumë shqetësime nga Ballkani përsa i përket ndikimit aftagjatë të këtyre ngjarjeve mbi politikën amerikane dhe praninë amerikane në Ballkan. A do të ndryshojnë gjërat?

JP: Ne e kemi bërë të qartë këtu në Uashington se nuk ka ndryshime në politikën amerikane ndaj Maqedonisë apo Kosovës. Në Maqedoni, është e qartë se ne kemi një marrëveshje suazë dhe kjo është politika jonë. Ky mbetet edhe angazhimi i sekretarit Colin Powell, i Presidentit Bush dhe i zyrtarëve të tjerë të administratës. Kjo është rruga e përparimit të procesit të paqes. Por, a i kanë shfrytëzuar ekstremistët dhe terroristët ndërkombëtarë kufijtë e hapur dhe aspektet e tjera në Ballkan? Ndoshta. Ne po e vëzhgojmë këtë me shumë kujdes. Ne po e shikojmë këtë rajon në të njëjtën mënyrë si po shikojmë çdo rajon tjetër ku mund të strehohen njerëz të lidhur me Osama bin Ladenin dhe terroristë të tjerë ndërkombëtarë. Por kjo është një çështje që nuk lidhet me politikën tonë ndaj Maqedonisë, Kosovës, Bosnjes, Serbisë, Malit të Zi apo rajoneve të tjera të ish Jugosllavisë.

EB: A keni ndonjë gjë tjetër për të shtuar lidhur me Maqedoninë, ku do të shkoni përsëri së shpejti?

JP: Mendoj se njerëzit tani duhet t’i shikojnë gjërat me optimizëm. Lufta u mënjanua, refugjatët po kthehen në shtëpitë e tyre, zgjidhja politike është arritur, armët janë mbledhur, përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar janë në terren dhe komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të ndihmojë, është bërë përparim politik. Pra tani ne kemi rastin të bëjmë në Maqedoni atë që udhëheqës të tjerë kishin vendosur të mos bënin. Ne mund ta shmangim luftën atje. Por udhëheqësit politik duhet të përfitojnë nga ky rast dhe ta vazhdojnë procesin. Ne kemi arritur mjaft deri tani prandaj nuk duhet ta minojmë atë që kemi arritur. Mesazhi im është që të vazhdojmë në këtë rrugë. Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të angazhuara në Maqedoni. Është e vërtetë se kemi patur një tragjedi të tmerrshme, një akt kriminal kundër njerëzve në Nju Jork dhe Pentagon, por ne jemi një vend i madh me mjete të shumta dhe me shumë interesa kudo në botë, prandaj ne mund të përballojmë më shumë se një situatë të vetme dhe do ta bëjmë këtë.

EB: Zoti ambasador, ju faleminderit.

XS
SM
MD
LG