Lidhje

Majko kundërshton Buçkovskin - 2001-10-01


Në një kohë kur luftëtarët shqiptarë të Ushtrisë Clirimtare Kombëtare në Maqedoni janë çarmatosur vullnetarisht për t’i hapur rrugë procesit të paqes në bazë të marrëveshjes së Ohrit, autoritet e Shkupit i rikthehen akuzave ndaj Shqiperisë se në territorin e saj ka kampe stërvitjeje për anëtarët e UCK. Dhe këtë e bëri dje në Tiranë Ministri i Mbrojtjes maqedonase, Vlado Buckovski pas takimit me homologun e tij shqiptar Pandeli Majko, duke përdorur sërish termin terroristët: “Biseduam edhe për probleme që deri tani ishin tabu, sic bëhet fjalë për kampet e stërvitjeve të terroristëve që kanë terrorizuar vendin tonë” , tha ministri maqedonas duke vazhduar se është rënë dakort që faktet janë mbrojtja e vetme ndaj gjithë këtyre vërejtjeve, pasi “kemi dëshirë të krijojmë një mirëkuptim të dyanshëm”.

Reagimi i Ministrit shqiptar Pandeli Majko ishte i shkurtër dhe i prerë duke hedhur poshtë akuza të tilla e duke shprehur gatishmërinë që të bëhet një hetim ndërkombëtar mbi këtë cështje: “Jam i autorizuar të them se Shqipëria nuk ka asnjë lloj kampi për stervitje. I thashë kolegut maqedonas se Shqipëria dhe forcat e armatosura të Shqipërisë janë të gatshme të pranojme cdo lloj investigimi për të ashtuquajturat kampe të stërvitjes së terroristëve. Ne jemi një vend që duam të jemi anëtarë në Nato dhe nuk mund të marrim në të njejtën kohë procese me drejtime të kundërta”, deklaroi ministri shqiptar i mbrojtjes Pandeli Majko Ministri maqedon Buckovski tha se ishte rënë dakort për ngritjen e një grupi hetimor me pjesmarrjen edhe të Maqedonisë.

Ndërsa i pyetur se ku janë kampet stërvitore për të cilat ai akuzon Shqipërinë, zoti Buckovski iu referua shkrimeve të shtypit maqedonas dhe jo informacioneve zyrtare.

Lidhur me aministinë ndaj luftëtarëve shqiptarë të UÇK Ministri maqedonas pranoi se qeveria e tij është ende e papërgatitur ndonëse kjo pikë parashihet në marrëveshjen e Ohrit. “Kjo cështje - premtoi Buckovski - do të ketë megjithatë një zgjidhje të shpejtë”.

XS
SM
MD
LG