Lidhje

SHBA ripërpilon një propozim paqeje për Lindjen e Mesme - 2001-10-02


Dy gazeta amerikane, New York Times dhe Washington Post, njoftojnë se administrata e presidentit Bush po përpiqet të ripërpilojë një propozim të gjerë paqeje për Lindjen e Mesme, i cili u dëmtua nga sulmet terroriste të muajit të kaluar në Shtetet e Bashkuara. Dy gazetat amerikane shkruajnë se propozimi përfshin mbështetjen amerikane për krijimin e një shteti palestinez. Sipas gazetave, sekretari i shtetit Colin Powell do ta kishte njoftuar propozimin në një fjalim para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila kishte në plan të mblidhej javën e kaluar.

New York Timesi dhe Washington Posti shkruajnë se presidenti Bush kishte vendosur të takohej me udhëheqësin palestinez, Jaser Arafat, gjatë kohës që ata ndodheshin në New York për takimin e OKB-së. Por sulmet e 11 shtatorit shkaktuan anullimin e këtyre planeve. Duke iu përgjigjur një pyetje rreth artikujve të dy gazetave, presidenti Bush tha se një shtet palestinez ka qënë gjithnjë pjesë e vizionit të Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, për deri sa të respektohet e drejta e Izraelit për të ekzistuar. Presidenti shtoi se tani përpjekjet duhet të përqëndrohen në uljen e nivelit të dhunës, duke thënë kjo është gjëja më e rëndësishme.

Dy gazetat amerikane shkruajnë se Sekretari i Shtetit Powell kishte diskutuar mbi një rol më të dukshëm amerikan në Lindjen e Mesme gjatë bisedimeve me aleatët evropianë dhe arabë të moderuar para sulmeve të 11 shtatorit. gazetat shkruajnë gjithashtu se udhëheqësit arabë e kanë bërë të qartë që prej sulmeve terroriste se një angazhim serioz amerikan për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez është shumë i rëndësishëm për të siguruar mbështetjen e vendeve arabe për ta detyruar regjimin taleban që të dorëzojë terroristin e dyshuar, Osama Bin Laden.

XS
SM
MD
LG