Lidhje

Bashkimi Evropian shtyn një konferencë dhuruesish për  Maqedoninë - 2001-10-04


Bashkimi Evropian njoftoi se vendosi ta shtyjë një konferencë të vendeve dhe organizatave dhuruese për Maqedoninë, pasi ky vend ende nuk i ka miratuar reformat kushtetuese, që parashikon marrëveshja e paqes, e cila i dha fund dhunës shtatë mujore. Komisioneri i Bashkimit Evropian për marrëdhëniet me jashtë, Chris Patten, tha se është absolutisht e pakuptueshme të mbahet konferenca, ndërkohë që Maqedonia ende nuk ka mbështetur apo zbatuar marrëveshjen politike.

Zoti Patten dhe shefi i Bashkimit për politikën e jashtme, Havier Solana, u takuan dje në Shkup me presidentin maqedonas, Boris Trajkovski dhe udhëheqës të tjerë politikë.

Krerët e partive politike shqiptare dhe maqedonase të vendit nënshkruan marrëveshjen, duke rënë dakord për t’u dhënë shqiptarëve më shumë të drejta. Muajin e kaluar, ligjvënësit maqedonas miratuan paraprakisht ndryshimet e propozuara, por kanë vonuar vendimin përfundimtar , ndërkohë që debatojnë rreth thirrjes nga Partia Demokracia e Re për mbajtjen e një referendumi për këtë çështje. Ndërkohë, Departamenti amerikan i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Organizata për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë i bënë thirrje Maqedonisë të mos zbatojë planin për dërgimin e forcave policore në zonat që mbaheshin nga luftëtarët shqiptarë.

Bashkimi Evropian po humbet durimin lidhur me dështimin e parlamentit maqedonas për të ratifikuar marrëveshjen e paqes.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në gusht, qeveria shumëpartiake është zotuar ta bëjë shqipen gjuhë zyrtare në ato zona kur shqiptarët përbëjnë shumicën. Ajo supozohet gjithashtu tu japi shqipëtarëve një rol më të madh në qeverinë lokale. Dhe gjithashtu duhet të miratojë një amnIsti për luftëtarët shqiptarë që luftuan për gjashtë muaj me forcat e sigurimit në një fushatë për të marrë më shumë të drejta për komunitetin e tyre.

Marrëveshja e paqes kishte si kusht dorëzimin e rreth 4 mijë armëve nën vëzhgimin e NATO-s për një periudhë 30 ditore që përfundoi muajin e kaluar.

Përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së në Shkup janë gjithashtu të shqetësuar për tendencat e ministrit të brendshëm nacionalisht të Maqedonisë, Ljube Boskovski për dërgimin e policisë në zonat e populluara shqiptare para miratimit të amnistisë për luftëtarët shqiptarë që është pjesë e paketës së reformave.

Të paktën dy ish komandantë guerrilas kanë paralajmëruar se në qoftë se policia ripushton zonat, ku jetojnë guerriljet e çmobilizuara para shpalljes së amnistisë dhe miratimit të reformave, kjo do të çonte në një luftë të re.

XS
SM
MD
LG