Lidhje

Talebani hap zjarr me armë kundërajrore - 2001-10-05


Artileria e Talebanit hapi sot zjarr kundër një ose më shumë avionëve që po fluturonin mbi kryeqytetin afgan, ndërkohë që trupat amerikane filluan të mbërrijnë në Uzbekistan, një ndër fqinjët veriorë të Afganistanit.

Korrespodentët në Kabul njoftojnë se Talebani qëlloi me artileri kundërajrore dhe raketa tokë-ajër ndaj aeroplanit të paidentifikuar që fluturontembi Kabul, por nuk duket se arriti ta godasë.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë ende të dhëna mbi incidentin e sotëm. Zyrtarët gjithashtu nuk pranojnë të japin hollësi mbi dislokimet ushtarake përreth Afganistanit.

Në një tjetër zhvillim, ushtria amerikane lëshoi një satelit që mendohet se mund të ndjekë me hollësi çfarë ndodh në Afganistan nga një lartësi prej disa qindra kilometrash.

Lëshimi i satelitit përkon me mbërritjen e trupave amerikane në Uzbekistan. Ky është dislokimi i parë i rëndësishëm i trupave tokësore amerikane në rajonet në kufi me Afganistanin. Një mijë trupa amerikane pritet të dislokohen në bazën jugore të këtij vendi të Azisë qendrore.

Lejen për të përdorur këtë bazë e siguroi Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld i cili vizitoi dje kryeqytetin e Uzbekistanit. Presidenti uzbek Islam Karimov thotë se aerodromi ushtarak do të përdoret për misione zbulimi dhe shpëtimi, dhe jo për sulme kundër Afganistanit.

Presidenti Bush, i cili ndodhet në rezidencën presidenciale të pushimeve Camp David, pritet të diskutojë sot me këshilltarët e tij të sigurimit.

XS
SM
MD
LG