Lidhje

Vazhdon dërgimi i ndihmave për afganët - 2001-10-10


Agjencitë ndërkombëtare po përpiqen të vazhdojnë dërgimin e ndihmave humanitare për civilët dhe refugjatët në Afganistan. Fondi i Kombeve të Bashkuara për fëmijët, UNICEF, thotë se një autokolonë e tij prej 7 kamionësh me batanije, ujë të pastër dhe ilaçe ndodhet në një territor të shkretë në kufirin afgano-iranian.

Pritet që autokolona të arrijë sot në mëngjes në qytetin Herat të Afganistanit perëndimor. Zyrtarët thanë se ngarkesa e këtyre 7 kamionëve është një pikë në oqean, krahasuar me nevojat reale të vendit.

Një zyrtar i UNICEF-it i tha Zërit të Amerikës se kjo organizatë ka një numër kamionësh të tjerë të gatshëm për të hyrë në Afganistan nga cilido kufi sapo këtë ta lejojë gjendja e sigurisë.

Ndërkohë, një agjenci tjetër humanitare e Kombeve të Bashkuara, Programi Botëror i Ushqimit, i pezulloi dërgesat me ushqime për në Afganistan për sa kohë që të vazhdojnë goditjet ushtarake amerikane kundër Talebanit, nga shqetësimi për sigurimin e personelit të saj.

XS
SM
MD
LG