Lidhje

OKB dhe Annan fitojnë çmimin Nobel të paqes - 2001-10-12


Kombet e Bashkuara dhe Sekretari i Përgjithshëm, Kofi Annan, fituan çmimin Nobel të paqes për këtë vit. Komiteti i çmimeve Nobel njoftoi vendimin e tij sot në Oslo, duke thënë se Kombet e Bashkuara janë në krye të përpjekjeve për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të arritur paqen në gjithë botën.

Njerëz që kanë pasur lidhje me Kombet e Bashkuara dhe agjenci të ndryshme të OKB-së kanë fituar shumë herë çmimin Nobel të paqes në të kaluarën. Por kjo është hera e parë që ky çmim i jepet vet Kombeve të Bashkuara. Zoti Annan ka kryesuar Kombet e Bashkuara gjatë 5 vjetëve të fundit dhe është vlerësuar lart për përpjekjet e tij për ta përqëndruar vemendjen e botës, mes çështjeve të tjera, edhe tek varfëria, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe epidemia vdekjeprurëse e Sidës nëpër botë.

Zoti Annan tha se çmimi Nobel është një nder i madh që njeh arritjet e Kombeve të Bashkuara, por në të njëjtën kohë e vë këtë organizatë para përgjegjësisë për të bërë një punë më të madhe e më të mirë në të ardhmen. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha se çmimi Nobel i paqes është një përgjegjësi e madhe në një kohë kaq të vështirë për të gjithë botën, pas sulmeve të muajit të kaluar në New York, vetëm pak kilometra larg selisë së OKB-së, si dhe në Washington.

Zoti Annan dënoi sulmet e 11 shtatorit kundër Shteteve të bashkuara, duke thënë se këto akte plagosën gjithë botën. Duke folur sot me gazetarët në New York, zoti Annan shprehu mendimin se Kombet e Bashkuara mund të luajnë një rol të rëndësishëm në Afganistan në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG