Lidhje

Kalendari Historik 12 tetor - 2001-10-12


Më 12 tetor 1973 presidenti Richard Nikson zgjodhi Gerald Fordin si kandidat për nënpresident të Shteteve të Bashkuara. Zoti Ford do të zëvendësonte nënpresidentin Spiro Agnju, i cili kishte dhënë dorëheqjen, pasi kishte pranuar se kishte marrë ryshfete, për të cilat nuk kishte paguar as taksa. Zoti Ford ishte udhëheqësi i pakicës së veteranëve republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve. Presidenti Nikson përmendi vlerat që kishte pasur parasysh kur zgjodhi zotin Ford si kandidat për nënpresident: së pari nënpresidenti duhet të ketë cilësitë e duhura për t’u bërë president; së dyti ai duhet të ketë pikëpamje të ngjashme me presidentin përsa i përket politikës së jashtme dhe të brendshme. Presidenti Nikson shtoi si arsye tjetër popullaritetin që gëzonte zoti Ford në Kongres: “Dhe së treti, në një kohë kur pushteti ekzekutiv është në dorë të një partie dhe Kongresi kontrollohet nga një parti tjetër, ka rëndësi jetike që nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të jetë një individ që mund të punojë me anëtarët e të dyja partive në Kongres” tha presidenti. Kongresi e miratoi kandidaturën e tij dhe zoti Ford u bë nënpresident i Shteteve të Bashkuara.

Më 12 tetor 1892 betimi para flamurit të Shteteve të Bashkuara, u bë për herë të parë publikisht. Kjo u bë gjatë një ceremonie me rastin e 400 vjetorit të mbërritjes së Kristofor Kolombit në Botën e Re. Betimi ishte shkruar nga Francis Bellamy dhe fillimisht u botua në revistën Youth’s Companion. Ai shpesh recitohet para ngjarjeve të rëndësishme patriotike. “Betohem para flamurit të Shteteve të Bashkuara dhe Republikës që ai përfaqëson, një komb i vetëm e i pandarë, nën drejtimin e Zotit, me liri dhe drejtësi për të gjithë.” Betimi para flamurit recitohet çdo ditë nga shumë fëmijë amerikanë në fillim të mësimeve.

XS
SM
MD
LG