Lidhje

Bush komenton mbi antraksin - 2001-10-16


Presidenti Bush tha se nuk ka fakte bindëse që të provojnë ndonjë lidhje midis terroristit të dyshuar Osama bin Laden dhe panikut për antraksin këtu në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, presidenti thotë se nuk e përjashton një lidhje të tillë. Presidenti tha se është i shqetësuar për letrat me antraks që janë shfaqur në tre shtete amerikane si dhe në Uashington.

Një nga këto letra u gjet në zyrën e kryetarit të shumicës demokrate në senat, Tom Daschle. Presidenti Bush mësoi për këtë rast ndërkohë që po u jepte fund bisedimeve me kryeministrin e Italisë Silvio Berlusconi në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti e dha lajmin ndërkohë që të dy ata dolën nga Shtëpia e Bardhë për t’ju përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Sapo bisedova me senatorin Daschle. Zyra e tij ka marrë një letër e cila kishte brenda antraks, tha presidenti Bush.

Për letra të ngjashme është njoftuar më parë në Florida, Nju Jork dhe Nevada. Presidenti u pyet nga gazetarët nëse mendonte se përgjegjës për këto letra ishte Osama bin Ladeni. Ai tha se kjo është e mundur.

Ne po vëzhgojmë çdo provë. Ne po përpiqemi të bëjmë lidhjen midis çdo prove që gjejmë për të zbuluar se kush po e bën këtë. Nuk do ta përjashtoja mundësinë që ai të jetë autori por ende nuk kemi prova bindëse për këtë, tha presidenti Bush.

Më pas, këshilltarja e sigurimit kombëtar, Condoleeza Rice, tha se duke patur parasysh ngjarjet e 11 shtatorit, është e logjikshme që të shihen lidhjet e mundëshme midis letrave me antraks dhe Osama bin Ladenit.

Thjesht nga provat rrethanore, është i justifikuar shqetësimi se mund të ketë një farë lidhjeje për shkak të koincidencës në kohë, tha zonja Rice.

Ajo tha se me sa kishte dijeni, Shtëpia e Bardhë nuk ka marrë ndonjë letër me antraks.

Ashtu si të gjithë, edhe ne jemi shumë të kujdesshëm për letrat që hapim. Amerikanët duhet të jenë të kujdesshëm kur hapin letra. Nuk ka asnjë arësye për panik. Por nëse dikush ka dyshime për një pako apo një letër, ai duhet të marrë kontakt me zyrtarët.

Në përgjithësi, masat e sigurimit në Shtëpinë e Bardhë janë shtuar kohët e fundit, por zonja Rice nuk dha hollësi. Ajo tha se nuk dëshironte të fliste se për çfarë masash konkrete ishte fjala.

XS
SM
MD
LG