Lidhje

Lëvizja Islamike e Uzbekistanit është përgjegjëse për akte terrorizmi - 2001-10-18


Shtetet e Bashkuara dhe Uzbekistani kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për goditjen e terroristëve dhe zhdukjen e infrastrukturës së tyre. Për ta bërë këtë, Uzbekistani ka rënë dakord për të lejuar përdorimin e hapësirës së tij ajrore. Qeveria e Uzbekistanit u ka ofruar gjithashtu Shteteve të Bashkuara mundësinë për të përdorur njërin prej aeroporteve të vendit për të transportuar ndihmat humanitare për popullin e Afganistanit. Njëri prej grupeve terroriste që duhet çrrënjosur, është Lëvizja Islamike e Uzbekistanit. Kjo organizatë ka lidhje me rrjetin terrorist të Usama bin Ladenit, Al-Qaida.

E themeluar në vitin 1996, Lëvizja Islamike e Uzbekistanit kërkon vendosjen e një shteti islamik në këtë vend. Tohir Yuldashev, udhëheqësi i grupit, i ka shpallur luftë të shenjtë apo xhihad, qeverisë së tanishme të Uzbekistanit.

Lëvizja Islamike e Uzbekistanit është përgjegjëse për akte terrorizmi kundër qytetarëve uzkbekë. Kjo organizatë ka marrë pengje të huaj, përfshirë katër amerikanë që u mbajtën peng në vitin 2000. Në vitin 1999, Lëvizja Islamike e Uzbekistanit zuri peng një grup gjeologësh japonezë. Po kjo organizatë ka organizuar edhe shpërthime në Tashkent, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën 16 vetë në vitin 1999, si dhe rrëmbeu një autobus ku u vranë dy pasagjerë dhe disa policë.

Lëvizja Islamike e Uzbekistanit përbën gjithashtu një kërcënim rajonal. Sipas njoftimeve, Rusia thotë se kjo organizatë është e lidhur me separatistët në Çeçeni. Ndërsa Kina e lidh Lëvizjen Islamike të Uzbekistanit me disa grupe separatiste mysliane në provincën e saj perëndimore Shin-Gjang. Këto vende thonë se Lëvizja Islamike e Uzbekistanit gjen strehim në Afganistan.

Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me prirjet e terrorizmit global, pjesëtarë të Lëvizjes Islamike të Uzbekistanit janë stërvitur në kampe në Afganistan që nga mesi i viteve 1990. Disa prej këtyre kampeve kontrollohen nga Usama bin Laden. Për më tepër, Lëvizja Islamike e Uzbekistanit ndihmohet nga regjimi taleban dhe nga grupe të tjera në Afganistan e gjetkë.

Por e gjithë kjo do të marrë fund shpejt. Siç është shprehur presidenti George W. Bush, lufta kundër terrorizmit fillon me Al-Qaidan, por nuk mbaron me të. Ajo do të përfundojë, thotë presidenti, kur çdo grup terrorist në botë të jetë gjetur, ndaluar dhe mundur.

XS
SM
MD
LG