Lidhje

Bush mbi operacionin - 2001-10-20


Presidenti Bush nuk ka bërë shumë komente publike lidhur me fazën e re në të cilën ka hyrë fushata ushtarake e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër Talebanit dhe objekteve terroriste në Afganistan. Por ai ka theksuar se lufta kundër terrorizmit ka shënuar përparime.

Njoftimi i parë lidhur me operacionet tokësore në Afganistan arriti në Shangai para agimit.

Presidenti Bush u këshillua në mëngjes me anëtarët e ekipit të tij të sigurimit kombëtar, të cilët e njoftuan mbi zhvillimet e fundit në operacionin ushtarak, përfshirë edhe rrëzimin e helikopterit amerikan afër një baze pakistaneze.

Ashtu si ka vepruar që nga fillimi i konfliktit, presidenti nuk pranoi të flasë publikisht mbi hollësitë e operacioneve. Presidenti nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me njoftimet se mbi 100 forca speciale kanë sulmuar një bazë të Talebanit gjatë natës, duke u përqëndruar vetëm në komente të përgjithshme lidhur me veprimet ushtarake: Ne po neutralizojmë mbrojtjen e Talebanit, ushtrinë e Talebanit. Ne po shkatërrojmë bazat ku fshihen terroristët. Me ritme të ngadalta por të vendosura ne po i rrethojmë terroristët, për t’i nxjerrë më pas para drejtësisë, theksoi zoti Bush.

Presidenti Bush u përcolli gjithashtu ngushëllimet e tij familjeve dhe miqve të dy ushtarëve amerikanë që humbën jetën nga rrëzimi i helikopterit:

E kam të vështirë të shpreh me fjalë mirënjohjen time për ata njerëz që janë të gatshëm të sakrifikojnë veten për lirinë. Mbarë vendi ndjen të njëjtën mirënjohje. Unë dua t’i siguroj të afërmit e tyre se ushtarët vdiqën për një kauzë të drejtë dhe se ne do të triumfojmë, tha presidenti.

Pentagoni thotë se rrëzimi i helikopterit ishte një aksident, dhe se helikopteri ndodhej në Pakistan për të ndihmuar në misionet për kërkimin e personave që figurojnë të zhdukur. Duke shprehur keqardhjen e tij për vdekjen e dy ushtarëve amerikanë, presidenti pohoi se mund të ketë edhe humbje të tjera në njerëz:

Mendoj se populli amerikan e kupton që lufta jonë kundër terrorizmit do të jetë e gjatë. Ata e kuptojnë gjithashtu se do të ketë sakrifica, tha Presidenti Bush.

Ai i bëri këto komente pas bisedimeve në Shangai me kryeministrin japonez Junichiro Koizumi, një ndër udhëheqësit e rajonit të Azi-Paqësorit që po zhvillojnë takime me presidentin Bush, në kuadrin e takimit të nivelit të lartë ekonomik të këtij rajoni.

Ndër pjesëmarrësit në këtë takim ka presidentë dhe kryeministra të vendeve aziatike të cilat kanë popullsi të madhe myslimane. Kryeministri i Malajzisë Mahathir Mohamad tha se në bisedimet e tij me presidentin Bush kishte theksuar se terrorizmi ndërkombëtar nuk do të marrë fund pa u zgjidhur kriza në Lindjen e Mesme. Ai tha se presidenti Bush i respekton pikëpamjet e tij, dhe se lidhur me këtë çështje kishin rënë dakord të respektonin mendimet e njëri-tjetrit.

XS
SM
MD
LG