Lidhje

Kabuli tronditet nga shpërthimet - 2001-10-22


Të paktën tre shpërthime shumë të fuqishme tronditën Kabulin sot në orët e para të ditës, ndërkohë që forcat ushtarake të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara ndërmorën një inkursion tjetër ajror mbi kryeqytetin afgan. Dje goditjet ajrore vunë në shënjestër ushtarë Talebanë që kishin zënë pozicione kundër forcave të armatosura të opozitës në veri të Kabulit dhe akoma më në veri, rreth qytetit Mazar-i-Sharif.

Ishte dita e dytë me radhë që aeroplanë ushtarakë amerikanë vinin në shënjestër forcat talebane, që ruajnë rrethinat e Kabulit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, thotë se sulmet u kryen për të ndihmuar Aleancën Veriore të opozitës që të fitonte terren. Është ende e paqartë në se opozita e ka rifilluar ofensivën e saj kundër qytetit Mazar-i-Sharif, pas sulmeve ajrore.

Sekretari Rumsfeld tha gjithashtu se nuk ka prova që aeroplanët luftarakë amerikanë të kenë bombarduar një spital afgan. Talebanët thonë se bombat kanë vrarë mbi 100 persona të shtruar në një spital të qytetit perëndimor, Herat.

Zoti Rumsfeld përgënjeshtroi gjithashtu pretendimin e Talebanëve se kanë rrëzuar helikopterë dhe kanë kapur trupa amerikane. Dje televizioni i Katarit, Al-Jazeera, tregoi pamje të filmuara në video, të atyre që Talebanët thonë se janë pjesë të një helikopteri të rrëzuar amerikan.

XS
SM
MD
LG