Lidhje

Kalendari Historik 20 tetor - 2001-10-22


Me 20 tetor 1960, Shtetet e Bashkuara bënë të ditur fillimin e një embargoje ndaj pjesës më të madhe të eksporteve për në Kubë. Departamenti i Shtetit njoftoi se qeveria kubane i shtrenjtonte qëllimisht prodhinet amerikane për kubanët, duke vënë taksa të larta doganore deri në masën 100 për qind. Departamenti i Shtetit akuzoi gjithashtu qeverinë komuniste të Havanës se u kishte bërë trysni bizneseve kubane të cilat më parë importonin nga Shtetet e Bashkuara, që t’i blenin mallrat nga vende të tjera. Urdhri për ndalimin e eksporteve amerikane në Kubë mbulonte informacionin në fushën teknike dhe të gjitha mallrat e tjera përveç ilaçeve, pajisjeve mjeksore dhe disa artikujve ushqimorë. Embargoja ndalonte gjithashtu shitjen, transferimin apo përdorimin e anijeve amerikane nga qeveria kubane apo qytetarët e këtij vendi, nëse nuk ishte siguruar më parë miratimi nga Komisioni Detar i Shteteve të Bashkuara. Qeveria e Fidel Kastros u kundërpërgjigj më 25 tetor të vitit 1960, duke konfiskuar 166 biznese amerikane në Kubë me një vlerë prej 250 milionë dollarësh.

Më 20 tetor 1944, gjenerali amerikan Douglas MacArthur u kthye në Filipine, të cilat atëherë ishin të pushtuara nga Japonia, duke përmbushur një premtim që kishte bërë në vitin 1942. Ndërkohë që vazhdonte sulmi fillestar amerikan ndaj ishullit Leyte në Filipine, gjenerali MacArthur njoftoi popullsinë e ishullit për kthimin e tij përmes valëve të radios nga bordi i anijes. Ai doli në breg me një mjet luftarak. Largimi i gjeneralit MacArthur në shkurt të vitit 1942 kishte qenë më pak i lavdishëm: presidenti Franklin Roosevelt e kishte urdhruar atë të largohej nga fortesa Corregidor në Gjirin e Manilës gjatë pushtimit japonez të Filipineve. Para se të largohej atë ditë të shkurtit të vitit 1942, gjenerali MacArthur kishte deklaruar: ”Unë do të kthehem!” Dhe ashtu u bëri!

XS
SM
MD
LG