Lidhje

Kalendari Historik 23 tetor - 2001-10-23


Më 23 tetor 1983 më se 200 ushtarakë amerikanë u vranë si pasojë e një shpërthimi terrorist në Bejrut të Libanit. Terroristi që bëri vetëvrasje, kaloi me kamionin e tij të mbushur me lëndë shpërthyese, një pikë kontrolli dhe u drejtua tek një ndërtesë e aeroportit të Bejrutit, që shërbente si shtab dhe kazerma për marinsat dhe punonjës të tjerë të Shteteve të Bashkuara, të cilët bënin pjesë në kontingjentin amerikan të një force paqeruajtëse ndërkombëtare. Disa çaste pas shpërthimit në ndërtesën e ushtarakëve amerikanë, një tjetër terrorist u fut me një kamion në selinë e forcave paqeruajtëse franceze. Nga ky shpërthim u shkatërrua ndërtesa 8 katëshe dhe u vranë rreth 50 ushtarakë francezë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, u indinjua thellë nga këto shpërthime, duke i cilësuar veprime të shëmtuara dhe të çmendura.

Më 23 tetor 1946 delegatët e Kombeve të Bashkuara u thirrën të marrin pjesë në mbledhjen e parë të Asamblesë së Përgjithshme në qytetin e Nju Jorkut. Sesioni u mbajt në një fushë patinazhi të transformuar në sallë mbledhjesh. Tipari mbizotërues i sallës ishte një hartë e botës pa kufi, 18 metra e gjatë dhe 10 metra e gjërë. Në hapje të sesionit nuk u tha ndonjë lutje, për shkak të besimeve të ndryshme fetare të delegatëve. Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Paul-Henri Spaak, kryetar i Asamblesë, hapi takimin me fjalët :“Ose ne do të kemi sukses, ose bota do të përfshihet përsëri nga trazirat, kaosi dhe më së fundi nga lufta.” Presidenti amerikan, Harry Truman, u tha delegatëve se pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara në organizatë simbolizonte fundin e izolacionizmit amerikan.

XS
SM
MD
LG