Lidhje

Të rejat e fundit nga Afganistani - 2001-10-29


Aeroplanët amerikanë kryen sulme të tjera kundër objektivave në Afganistan. Sot u njoftua për sulme të ashpra përreth Kandaharit, baza e regjimit taleban në jug të vendit. U njoftua gjithashtu se edhe dje u kryen sulme në zonën e Kandarit si edhe në kryeqytetin Kabul, dhe qytetet Xhalalaban dhe Mazar-I-Sharif, ndërkohë që fushata e bombardimeve hyri në javën e katërt. Njoftohet se sulme të tjera vunë në shënjestër trupat talebane, të mbërthyer në luftime me aleancën veriore të opozitës.

Zëdhënës të aleancës thanë se forcat e tyre kanë në plan të fillojnë një ofensivë të re brënda pak ditësh për të marë nën kontroll qytetin e Mazar-I-Sharifit. Luftëtarët taleban kanë zbrapsur në mënyrë të përsëritur forcat e opozitës që përpiqen të marin nën kontroll këtë qytet të rëndësishëm në veri të vendit, afër kufirit me Uzbekistanin.

Ndërkohë, komandanti i operacionit ushtarak amerikan në Afganistan, gjenerali Tommy Franks, u takua me presidentin e Pakistanit Pervez Musharaf në Islamabad. Nuk janë dhënë hollësi rreth takimit.

Gjenerali Musharaf është mes udhëheqësve të vendeve myslimane, që po u bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara që të marin më shumë masa paraprake për të shmangur viktimat civile në Afganistan. U njoftua se të paktën 12 civilë humbën jetën dje afër Kabulit, një ditë pasi u vranë disa vetë në një fshat në veri të vendit.

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Afganistanin, ish diplomati algjerian Lakhdar Brahimi, mbrriti gjithashtu sot në Pakistan për takimin e parë të një seri takimesh në rajon për të diskutuar për një qeveri të ardhme të spektrit të gjerë në Afganistan. Ai u emërua përsëri në këtë detyrë pasi dha dorëheqjen para dy vjetësh.

XS
SM
MD
LG