Lidhje

Bombardime të rënda në rajonin Ai Khanun - 2001-11-01


Aeroplanët amerikanë kryen bombardime të tjera kundër pozicioneve talebane të vijës së frontit në veri të Afganistanit, në afërsi të kufirit me Taxhikistanin. Sot herët në mëngjes u njoftua për bombardime të rënda në rajonin Ai Khanun, që ka qënë objetiv i sulmeve të vazhdueshme amerikane gjatë kësaj jave, në kuadër të fushatës për dobësimin e pozicioneve talebane të vijës së frontit.

Talebanët pretendojnë se forcat e tyre sprapsën një ofensivë të madhe të forcave të Aleancës Veriore të opozitës në luginën strategjike Dara-i-Suf, në afërsi të qytetit Mazar-e-Sharif që mbahet nga talebanët. Një zëdhënës tha se agjencia e lajmeve Shtypi Islamik Aftgan me bazë në Pakistan thotë se luftëtarët talebanë i mbajtën pozicionet e tyre gjatë një beteje tri orëshe kundër forcave të komanduara nga udhëhqësi uzbek, gjenerali Abdul Rashid Dostum.

Një zyrtar i lartë taleban tha gjithastu se bombardimet intensive amerikane kanë shkatërruar hidrocentralin më të madh të vendit në provincën jugore Helmand. Ai tha se linjat e furnizimit me energji elektrike të Helmandit dhe Kandaharit janë ndërprerë.

Deklaratat e Talebanëve nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura. Ndërkaq, gazeta The New York Times njofton se departamenti amerikan i Mbrojtjes ka në plan të shtojë numrin e këshilltarëve që punojnë me grupet anti-talebane në Afganistan.

Sipas këtij njoftimi, zyrtarët e Pentagonit thonë se Uashingtoni ka parë se është e nevojshme të punohet më ngushtë me Aleancën Veriore për t’i mbajtur telebanët nën presion, pasi lëvizja islamike ka treguar se është më e fuqishme nga sa pritej.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld ka thënë se një numër i vogël i trupave tokësore amerikane ndodhet tashmë në veri të Afganistanit, duke ndihmuar opozitën për komunikimin, bashkërendimin dhe drejtimin e sulmeve ajrore amerikane.

Dje, Pentagoni tha se pas tri javë e gjysmë bombardimesh është dëmtuar rëndë mundësia e udhëheqësve talebanë për të komunikuar ndërmjet tyre, si dhe është bërë e vështirë që trupat talebane të marrin furnizime dhe përforcime.

XS
SM
MD
LG