Lidhje

Lidhja Arabe dënon bin Ladenin - 2001-11-04


Kreu i Lidhjes Arabe prej 22 vendesh hodhi poshtë thirrjen e njeriut të akuzuar si terrorist, Osama bin Laden që myslimanët e botës të bashkohen në luftë të shenjtë kundër Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit.

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes, Amr Mussa, tha se ekstremisti saudit bin Laden nuk flet në emër të arabëve ose myslimanëve.

Ministri i jashtëm egjiptian, Ahmad Maher, tha se vendi i tij mbështet fushatën kundër terrorizmit. Sipas fjalëve të tij, Osama bin Ladeni është në luftë me të gjithë botën.

Egjipti është vendi arab me me popullsinë më të madhe në botë. Zoti Maher dhe zoti Mussa i bënë këto komente në Damask, ku ministrat e jashtëm të Lidhjes Arabe janë mbledhur për bisedime lidhur me luftën kundër terrorizmit dhe konfliktin izraelito-palestinez.

Komentet e tyre bëhen gjithashtu pas mesazhit të djeshëm të Osama bin Ladenit, të transmetuar nga televizioni i Katarit Al-Jazeera. Bin Ladeni e quajti fushatën e Shteteve të Bashkuara në Afganistan një luftë midis myslimanëve dhe të krishterëve. Ai i cilësoi si të pafe myslimanët që mbështesin Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë e quajti këtë deklaratë akt dëshpërimi.

Ndërkohë, aeroplanët amerikanë filluan javën e pestë të bombardimeve kundër talebanëve dhe objekteve terroriste në Afganistan.

XS
SM
MD
LG