Lidhje

Myers: trupa të tjera në Afganistan - 2001-11-04


Shefi i Shtatmadhorisë së Shteteve të Bashkuara tha se në Afghanistan kanë hyrë trupa të tjera amerikane. Gjenerali Richard Meyers thotë se ka patur rritje në numrin e trupave të specializuara amerikane që po bashkëpunojnë me forcat afgane të opozitës.

Shefi i Shtatmadhorisë së Shteteve të Bashkuara, Richard Meyers tha se në Afganistan kanë hyrë ekipe ushtarake amerikane të tjera, përveç atyre që ndodheshin më parë.

Mbrëmë dhe një natë më parë ne dërguam atje disa ekipe të tjera për të punuar me udhëheqësit e opozitës. Sa më shumë ekipe të tilla që ne dërgojmë në terren, aq më me efektivitet do të mund të godasim nga ajri kundër vijave të frontit taleban dhe ne po vazhdojmë ta bëjmë këtë, tha gjenerali.

Gjatë komenteve që bëri në rrjetin televizv CBS, gjenerali Myers tha se operacioni po shkon sipas planit dhe nuk do të ndikohet nga dimri i ashpër afgan.

Ne do të luftojmë edhe gjatë dimrit. Dimri nuk do të të na ndalë për të bërë atë që duhet të bëjmë, tha ai.

Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të garantojnë se forcat anti-talebane në Afganistan do të kenë furnizimet e duhura për të përballuar muajt e të ftohtit, ngricës, shiut e dëborës.

Ne po e furnizojmë opozitën me municione, ushqime, batanije dhe shpresojmë, në një të ardhme jo shumë të largët, me pajisje për të duruar të ftohtit. Forcat luftuese në anën e opozitës dhe në anën tonë do të jenë të përgatitura shumë më mirë për dimër se sa Talebani, tha gjenerali Myers.

Në një intervistë me rrjetin tjetër televiziv, ABC, komandanti i operacioneve, gjenerali Tommy Franks, tha se qëllimi është që të mbahet një presion i vazhdueshëm mbi Talebanin dhe organizatën Al-Qaida të Osama bin Ladenit. Ai tha se ka rëndësi që vemendja të përqendrohet tek qëllimi i përgjithshëm i operacionit.

Ky qëllim është shkatërrimi i rrjeteve terroriste brenda Afganistanit, të cilët kanë lidhje në të gjithë botën si dhe i qeverisë jo legjitime që i strehon ata, tha gjenerali Franks.

Të dy gjeneralët komentuan edhe për njoftimin e revistës Nju Jorker, e cila thoshte se 12 ushtarë amerikanë ishin plagosur gjatë një operacioni muajin e kaluar në Afganistan. Ata thanë se pati dëmtime që lidheshin me zbrijtjen e ushtarëve me parashutë, por asnjëri prej tyre nuk u plagos nga zjarri armik.

XS
SM
MD
LG