Lidhje

Presidenti pakistanez shpreson që fushata ushtarake gjatë Ramazanit të ndërpritet - 2001-11-07


Presidenti i Pakistanit, Pervez Musharaf, bëri një ndalesë të shkurtër në Teheran, gjatë udhëtimit për në New York për të marë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Agjencia iraniane e lajmeve bëri të ditur se gjenerali Musharaf u takua me nën-presidentin e Iranit Reza Aref për të diskutuar mbi gjendjen në Afganistan. Pas vizitës në Teheran, gjenerali Musharaf ndaloi shkurtimisht në Stamboll të Turqisë, ku ai shfaqi shpresën që fushata ushtarake në Afganistan të mos vazhdojë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Presidenti Musharaf kishte thënë më parë se nuk do të kërkonte ndalimin e operacioneve ushtarake gjatë muajit të Ramazanit, por se do ta diskutonte këtë çështje me presidentin Bush gjatë një takimi të planifikuar nga fundi i kësaj jave në New York. Po sot, gjenerali Musharaf do të takohet me presidentin francez Zhak Shirak në Paris si dhe do të ndalojë shkurtimisht në Londër, para se të shkojë në New York.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Pakistanit i kërkoi ambasadorit taleban në Islamabad që të respektojë normat diplomatike dhe të përmbahet nga kritikat në adresë të vendeve të tjera në komentet që bën në konferencat e shtypit. Një zëdhënës pakistanez tha se ambasadori taleban, Abdul Salam Zaeef, u thir dje dhe iu dorëzua paralajmërimi. Ambasadori Zaeef nuk ka bërë ndonjë koment të menjëhershëm. Ai ka mbajtur konferenca të përditshme shtypi në banesën e tij, ku ka kritikuar regullisht politikën amerikane ndaj regjimit isklamik të Afganistanit dhe ka dhënë shifra rreth viktimave civile në Afganistan. Por ambasada talebane nuk zhvilloi konferencë shtypi dje dhe nuk ka njoftuar për mbajtjen e ndonjë konference shtypi sot.

XS
SM
MD
LG