Lidhje

Ndihmat ushqimore për Afganistanin - 2001-11-07


Shumë kohë më parë se talebanët të merrnin pushtetin në Afganistan, Shtetet e Bashkuara po bashkëpunonin me vende të tjera për të ndihmuar popullin afgan të plotësonte nevojat ushqimore. Siç shprehet Andrew Natsios, adminsitrator i Agjencisë për Zhvillimin Ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara, do ta ndihmojnë popullin afgan edhe shumë kohë pasi talebanët të largohen nga pushteti. Gjatë një viti para sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara i dërguan popullit afgan ndihma humanitare që e tejkalojnë shumën e 170 milionë dollarëve.

Më 11 shtator, terroristë të rrjetit Al-Qaida të Osama Bin Ladenit, sulmuan Qendrën Botërore të Tregtisë dhe Pentagonin. Mijra amerikanë dhe shtetas nga shumë vende të tjera u vranë. Për arsye se rregjimi shtypës i talebanëve vazhdon ta strehojë Bin Ladenin dhe bashkëpunëtorët e tij terroristë, Shtetet e Bashkuara po kryejnë operacione ushtarake në Afganistan. Por edhe tani, Shtetet e Bashkuara nuk i kanë lënë mënjanë nevojat e popullit afgan.

Në të njejtën kohë që bombat dhe raketat kanë vënë në shënjestër pozicionet e talebanëve dhe të Al-Qaidës, aeroplanë amerikanë trasporti po hedhin paketa me ushqime për popullatën civile afgane. Muajin e kaluar, më shumë se 1 milionë paketa me ushqime u hodhën nga ajri. Këto paketa iu shtuan mijra tonelatave me ushqime që janë magazinuar në Afganistan nga agjencitë ndërkombëtare të ndihmave si dhe ndihmat me ushqime të dërguara atje nga vendet fqinje.

Për fat të keq, një pjesë e ndihmave ushqimore amerikane dhe vendeve të tjera nuk po i shkon popullit afgan, që ka nevojë për të. Forcat talebane kanë pushtuar objekte të Programit Botëror të Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe kanë vjedhur ushqime. Në Kabul, magazinat e Kombeve të Bashkuara me ushqime u pushtuan nga talebanët, por më pas ata u larguan prej tyre. Kjo ngjarje ka shkaktuar frikë se talebanët mund ta helmojnë ushqimin me qëllim që të akuzojnë pastaj Shtetet e Bashkuara.

Është vështirë të besohet se ndokush, që mund të jetë po aq djallëzor sa edhe udhëheqësit talebanë, do të helmote ushqimin e destinuar për popullin e uritur. Por nga ana tjetër, kush mund ta besonte para 11 shtatorit se dikush do të rrëmbente aeroplanë civilë dhe me një objektiv të caktuar të godiste me ta ndërtesa, duke vrarë mijra njerëz të pafajshëm. Dhe është pikërisht regjimi taleban ai që vazhdon të strehojë dhe të mbështetë terroristët e Al-Qaidës përgjegjës për këto akte monstruoze.

Siç e kanë bërë të qartë zyrtarët amerikanë, çdo furnizim ushqimor që shkon në Afganistan nga Shtetet e Bashkuara do të jetë i paprekur. Por në qoftë se ushqimi ka rënë nën kontrollin e talebanëve, afganët duhet të tregohen të kujdesshëm. Kjo është natyra e armikut tonë të përbashët.

XS
SM
MD
LG