Lidhje

Kalendari Historik 4 nentor - 2001-11-07


Më 4 nëntor të vitit 1979, rreth 500 ekstremistë të armatosur iranianë, të vetquajtur studentë, hynë në ambasadën amerikane në Teheran dhe morën peng 52 zyrtarë të saj. Pushtimi i ambasadës pasoi disa javë demonstrata anti-amerikane të organizuara nga Ayatollah Khomeini, udhëheqësi i revolucionit islamik iranian. Më pas, Presidenti amerikan, Jimmy Carter, hodhi poshtë kërkesën e rrëmbyesve për t’i liruar 52 amerikanët me kusht që Shtetet e Bashkuara të kthenin në Iran Shahun e përmbysur, Mohammed Reza Pahlavi. Shahu kishte ardhur në Shtetet e Bashkaura për t’u kuruar nga kanceri. Presidenti Carter e mori vetë përgjegjësinë për të zhvilluar negociata për lirimin e diplomatëve amerikanë. Zoti Carter ia bëri të qartë Iranit se Shtetet e Bashkuara nuk do të bënin lëshime para shantazheve dhe dënoi aktin kundër diplomatëve amerikanë. Gjatë 15 muajve të fundit të presidencës së tij, zoti Carter u përpoq të siguronte lirimin e pengjeve. Iranianët i liruan pengjet amerikane më 20 janar të vitit 1981, disa minuta pasi Ronald Reagani, bëri betimin si president.

Më 4 nëntor të vitit 1952, kongresmeni John F. Kennedy, fitoi në zgjedhjet për në Senatin amerikan. Demokrati Kennedy fitoi ndaj senatorit republikan të shtetit Massachusetts, Henry Cabot Lodge. Eenergjia që demonstroi kongresmeni 35 vjeçar dhe fakti që ai vinte nga një familje e famshme, e ndihmuan të siguronte fitoren, megjithëse republikanët kishin shënuar atë vit një fitore të thellë me zgjedhjen si president të gjeneralit Dwight Eisenhower. Kennedy u bë një nga demokratët më me influencë në Senatin e Shteteve të Bashkuara. 6 vjet më vonë, në vitin 1958, senatori Kennedy u rizgjodh përsëri senator. Dhe dy vjet më pas, në vitin 1960, ai fitoi në zgjedhjet presidenciale kundër nënpresidentit, Richard Nixon dhe zuri vendin e Dwight Eisenhower-it si President i Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG